E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: PS në opozitë u përball me dhunë dhe me brutalitet, mbijetoi në errësirë ku kishte vetëm një ekran televizori

TIRANË, 29 maj/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama njëherësh kryetar i Partisë Socialiste deklaroi sot nga Dibra se PS në opozitë u përball me dhunë dhe me brutalitet, ndërsa nuk u soll asnjëherë në këtë mënyrë me kundërshtarët.

Rama kujtoi momente të paimagjinueshme nga historia e shoqërisë shqiptare kur, sipas tij, “u tha se ne fituam lirinë por jo demokracinë”.

“Ata që morën përsipër të përfaqësojnë opozitën me një sistem në letër demokratik u përballën me dhunë, me brutalitet dhe me poshtërim të vazhdueshëm. U përballën me grabitje masive të votave, me rrezik të drejtpërdrejt për jetën”, tha Rama.

Sipas tij, edhe pse nuk imagjinohet sot, PS në opozitë mbijetoi në një errësirë ku kishte vetëm një ekran televizori, nuk kishte rrjete sociale.

“Në atë ekran ishte vetëm Radio Televizioni shtetëror ku PS mund të shfaqej përmes përfaqësuesve të vetë për shumë pak sekonda dhe ku figura mbulohej nga komente denigruese të RTSH-së. E gjithë fryma opozitare, e gjithë liria e asaj shoqërie kishte vetëm një pasqyrë, gazetën ‘Koha Jonë’, të cilën në fund ata që flasin për liri e demokraci e bënë shkrumb dhe hi duke e djegur dhe duke i marrë zvarrë të gjithë gazetarët e çuar në polici”, tha Rama.

Ndërkohë, Rama theksoi se PS asnjëherë nuk është shfaqur si e tillë në shoqëri dhe ndaj kundërshtarëve të vet. /j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›