Rama: Burimet ujore nuk janë të atij që i ka afër, por të Republikës

TIRANË, 3 shtator/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se “burimet ujore të Republikës së Shqipërisë nuk janë të atij që i ka afër, por janë të Republikës”.
Ndërsa prezantoi Operatorin Kombëtar të Ujit, kryeministri Rama tha se “në Republikën e Shqipërisë nuk ka njerëz me fat që kanë ujin afër dhe pa fat që e kanë burimin larg”.
“Për Tragjasin të gjithë duhet ta kuptojnë se burimet ujore të Republikës së Shqipërisë nuk janë të atij që i ka afër, por janë të Republikës së Shqipërisë. Dhe në Republikën e Shqipërisë nuk ka njerëz me fat që kanë ujin afër dhe pa fat që e kanë burimin larg”, shtoi Rama.
“Ndërkohë, që siç ua kam shpjeguar banorëve të Tragjasit, as nuk diskutohet fare se nuk ekziston në asnjë botë tjetër përveç se në botën e konspiracioneve dhe fantazive politike e mediatike, apo rreth tryezës duke pirë raki, që qeveria e Republikës së Shqipërisë, ministria apo autoritetet përgjegjëse t’i marrin ujin disave për t’ia dhënë disave. Kjo nuk ekziston”, tha Rama.
Rama kujtoi se kjo qeveri ka ndalur përfundimisht HEC-et prej kohësh dhe ka bërë një luftë të madhe me lejet e dhëna për HEC-et.
/r.e//a.f/