Studentët e Akademisë së Sigurisë do të akomodohen në Rezidencën Studentore Universitare

TIRANË, 3 shtator /ATSH/ Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda nënshkroi sot një marrëveshje bashkëpunimi me drejtorin e përgjithshëm të Shoqërisë “Rezidenca Studentore Universitare Nr. 1” Olsi Shahini, në funksion të akomodimit sa më cilësor të studentëve që ndjekin Akademinë e Sigurisë.
Marrëveshja, në prag të vitit të ri akademik, synon të promovojë kushte sa më të mira studimi, konform standardeve evropiane, nëpërmjet akomodimit të studentëve, në ambientet e Rezidencës Studentore Universitare Nr. 1.
Ky akt ka si objekt pagesën nga Akademia e Sigurisë e Policisë së Shtetit, e tarifës mujore të akomodimit të studentëve në këtë rezidencë.
Proda theksoi gjatë nënshkrimit të marrëveshjes, se ky bashkëpunim do të jetë një ndihmë e madhe për studentët e Akademisë së Sigurisë, si dhe një formë mbështetjeje dhe inkurajimi në rrugëtimin e tyre për t’u bërë punonjës policie.
Ndërkaq, Shahini falënderoi Prodën për bashkëpunimin dhe theksoi se subjekti që ai drejton do të bëjë më të mirën, në mënyrë që studentët e Akademisë së Sigurisë të kenë ambiente të përshtatshme, të cilat plotësojnë nevojat e tyre studentore.
1 nga 3/gj.m/r.e//a.f/