E Hënë, 2 Nëntor 2026

Salla: Përmbytje të lokalizuara në Lezhë e Durrës, hidrovoret në kapacitet të plotë

TIRANË, 19 nëntor /ATSH/ Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andi Salla deklaroi sot se strukturat në terren po monitorojnë nga afër situatën e krijuar nga reshjet intensive të 48 orëve të fundit, që kanë shkaktuar rritje të niveleve të ujit në lumenj dhe kanalet kulluese.

Sala bëri të ditur se në disa zona, kryesisht në qarkun e Lezhës dhe Durrësit, janë shënuar përmbytje të tokave bujqësore dhe vështirësi në ndërhyrje, ndërsa hidrovoret në ultësirën perëndimore vijojnë punën me kapacitet të plotë.

Salla bëri të ditur se, në Qarkun Lezhë, në njësinë administrative Mamurras, për shkak të prurjeve të mëdha të lumit Droje dhe dëmtimit të një segmenti të argjinaturës, janë përmbytur toka bujqësore dhe disa zona të banuara përgjatë të dy brigjeve, veçanërisht në Thumanë dhe Dukagjin.

“Drejtoria e Ujitjes dhe Kullimit Durrës ka dislokuar dy mjete të rënda pranë segmentit të dëmtuar, por ndërhyrja mbetet e vështirë për shkak të niveleve të larta të ujit. Në zonën e Lezhës, megjithëse kanalet kulluese dhe hidrovoret kanë nivele të larta uji, situata paraqitet e qëndrueshme, me përmbytje të lokalizuara. Ndërkohë hidrovoret në Kurbin dhe Lezhë vijojnë punën normalisht. Ndërsa nivelet e ujit në lumenjtë Drin dhe Mat janë ulur me rreth 50 cm”, u shpreh ministri.

Në Qarkun Durrës, tha ai, situata mbetet e ndërlikuar, sidomos në zonën e Hamallajt.
Ka një ulje të nivelit të ujit me rreth 50 cm në Hamallaj dhe në kanalin e ujërave të larta “Tone”.

Salla tha se është konstatuar rritje e niveleve në lumenjtë: Shkumbin, Seman, Vjosë, Shushicë, Drinos, Pavlla e Madhe, Pavlla e Vogël, Bistrica e Madhe dhe Bistrica e Vogël.
Aktualisht rrjedhat janë brenda shtratit, përveç lumit të Kalasës, i cili mbi urën e Gajdarit ka dalë nga shtrati dhe ka shkaktuar përmbytje, duke bllokuar segmentin rrugor kombëtar Sarandë–Delvinë.

Salla u shpreh se, të gjitha hidrovoret në ultësirën perëndimore, përfshirë Shkodër, Lezhë, Kurbin, Rrogozhinë, Lushnje, Divjakë, Fier, Vlorë dhe Sarandë, janë në funksion të plotë dhe po punojnë për shkarkimin maksimal të ujërave.

Ministri Sallab theksoi se strukturat emergjente janë vazhdimisht në terren, ndërsa qytetarët ftohen të respektojnë masat e sigurisë dhe të shmangin zonat e përmbytura.

/a.f/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›