Rama: Çmenduria mediatike nxitet nga politika, përdorim abuziv i vrasjes në Pogradec dhe të 14-vjeçarit

TIRANË, 5 dhjetor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama u ndal sot edhe në ngjarjen e ndodhur pranë shkollës “Fan Noli” ku u vra 14-vjeçari Martin Cani. Rama tha se vrasjet e njerëzve të pafajshëm që janë të rralla e tronditëse merren dhe rrotullohen me ditë të tëra për të nxitur ndjenjën e pasigurisë, por këtu nuk ka pasiguri.
Në takimin këshillues në shkollën “Halit Coka”, në Kamzë me prindërit dhe mësuesit për kufizimin e rrjeteve si TikTok, Kryeministri Rama theksoi se “aq e vërtetë është kjo sa dy vrasje që kanë ndodhur, ajo e Pogradecit dhe kjo e 14-vjeçarit janë përdorur në mënyrën më abuzive, më skandaloze dhe më të pabesë ndaj opinionit publik. Sidomos kjo e fundit. Duke sajuar historia, duke vënë në pikëpyetje korrektesën e Policisë së Shtetit në raportim, duke shpikur një autor tjetër, një thikë tjetër”.
“Fatmirësisht kjo vrasje është e regjistruar në video, jo vetëm që është hetuar nga Prokuroria, por është me video. Nuk ka një autor tjetër, nuk ka një thikë tjetër dhe nuk ka ndodhur siç mund të thotë imagjinata kur vetvetiu njeriu vendoset në krahun e viktimës. Një përleshje nga ku për fatin më të keq është shkaktuar vdekja e një fëmije. Ky është fakti”, tha Rama.
Kryeministri Rama theksoi se “në këto bashkëbisedime kam dëgjuar me shumë vëmendje shqetësimin e prindërve që përtej TikTokut është edhe çmenduria mediatike e Shqipërisë që nxitet nga politika, nga nevoja për të pasur sa më shumë audiencë, për ta përdorur shqetësimin te prindërit, për t’i mbajtur pas ekranit, duke treguar histori. Kjo është një pjesë që nuk kemi ndonjë shans ta rregullojmë për sa kohë që politika është kjo që është dhe për sa kohë politika dhe Kuvendi do të jenë në top listë të burimeve të gjuhës së shpifjes, urrejtjes, helmit”. /k.s/j.p/