E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Rama: Instalim i kamerave inteligjente në shkolla, gjithçka bëhet transparente

TIRANË, 5 dhjetor /ATSH/ Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu ishin sot në shkollën “Halit Coka”, në Kamzë për të vijuar takimet këshilluese me prindërit dhe mësuesit për kufizimin e rrjeteve si TikTok.

Në fjalën e tij, Rama prezantoi projektin inovativ të instalimit të kamerave inteligjente në shkolla, duke theksuar rëndësinë e transparencës dhe sigurisë.

“Ne kemi rreth një vit që po punojmë me një projekt që besoj do të na japë një dorë të madhe të gjithëve bashkë, Ministrisë së Arsimit, drejtorive të shkollave, mësuesve dhe prindërve, një dorë të madhe që është një projekt i sigurisë së lartë të shkollave përmes sistemit të kamerave inteligjente, të cilat, falë një bashkëpunimi me Emiratet e Bashkuara ku ky sistem është instaluar me sukses të jashtëzakonshëm dhe ku ka një rënie drastike të dhunës, të bullizmit, të mungesave, të sjelljeve, sepse gjithçka është transparente, ne do kemi mundësinë që të kemi në dorë një pasqyrë të të gjithë fëmijëve dhe mësuesve”, tha Rama.

Natyrisht, shtoi Rama, “që sistemi do të menaxhohet me protokolle të qarta, por ama çdo prind që do të dojë të shikojë fëmijën e vetë si ka qëndruar në klasë ose nëse fëmija ka bërë ndonjë gjë që duhet ballafaquar me atë fakt, do të ketë mundësinë ta bëjë bashkë me fëmijën”.

“Po kështu, edhe mësuesit. Mësuesit do jenë, qoftë edhe të monitoruar, po edhe të mbrojtur, të dyja bashkë dhe unë kam shumë besim te ai sistem, sepse është fjala e fundit e teknologjisë”, u shpreh kreu i qeverisë.

“Ne tani mbyllim brenda dhjetorit edhe marrëveshjen e financimit, projekti është gati dhe fillojmë menjëherë vitin e ardhshëm me instalimin e këtij sistemi që do të na japë një dorë shumë të madhe, një dorë shumë të madhe për të pasur shumë të qartë çfarë ndodh dhe për të monitoruar edhe një rregull të thjeshtë, që është celulari nuk merret në klasë, mirëpo faktikisht, ne nuk mund të pretendojmë që kjo zbatohet 100%. Patjetër që kjo do të na japë një dorë shumë të madhe për monitorimin e provimeve”, tha kryeministri Edi Rama. /j.p/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›