Marrëveshje me ISSH për pensionet, UIM Albania sjell në Tiranë shërbimet e patronatit italian

TIRANË, 5 dhjetor/ATSH/ Komuniteti italo-shqiptar, që ndan jetën mes dy brigjeve të Adriatikut, ka tashmë një mbështetje më shumë në shërbime, përmes marrëveshjes së rinovuar, firmosur në Tiranë, mes Institutit të Sigurimeve Shoqërore dhe UIM Albania.
Ky ent që ka hapur së fundmi zyrën e vet në Shqipëri, sjell shërbimet e patronatit që në Itali gëzojnë jo vetëm qytetarët italianë, por edhe ata shqiptarë. Për të shënuar këtë moment të rëndësishëm që forcon edhe më shumë lidhjet institucionale, ishte në Tiranë delegacioni i ITAL-UIL, udhëhequr nga presidenti Giuliano Zignani, që firmosi me kreun e ISSH, Astrit Hado, marrëveshjen e re.
Teksti mban në konsideratë nevojat e reja të shqiptarëve që kanë vendosur të kthehen në Atdhe pas viteve në emigracion, atyre që ende jetojnë në vendin fqinj, si dhe qytetarëve italianë që jetojnë rregullisht në vendin tonë. Përmes zyrës së UIM Albania në Tiranë, këto komunitete mund të përfitojnë akses në shërbimet e ofruara si nga institucionet shqiptare, ashtu edhe ato italiane. Me qëllim evidentimin dhe konkretizimin e çdo mundësie bashkëpunimi, delegacioni i ITAL-UIL zhvilloi takime edhe me përgjegjësit politikë për diasporën të dy forcave kryesore politike, Taulant Balla nga Partia Socialiste, njëherësh ministër për Marrëdhëniet me Parlamentin; si dhe Jozefina Topalli nga Partia Demokratike.
Në këto takime u prezantuan disa mënyra se si rrjeti kapilar i ITAL-UIL mund të ndihmojë emigrantët shqiptarë, si dhe u diskutua mbi flukset migratore, sigurinë në punë dhe rolin e luajtur nga sindikata italiane. Gjatë qëndrimit treditor në Tiranë, delegacioni zhvilloi një takim edhe me rektorin e Universitetit “Zoja e Këshillit të Mirë”, Leonardo Palombi, për të krijuar sinergji të reja në pasurimin e rrugëtimit akademik dhe profesional të të rinjve italianë dhe shqiptarë që studiojnë aty. Mundësia për një integrim më efikas të studentëve italianë në Shqipëri si dhe krijimi i hapësirave për studentët shqiptarë që të specializohen në Itali, ishin disa nga pikat kryesore të këtij takimi.
Mbi ITAL, institutet e patronatit në Itali dhe prezencën në Shqipëri (UIM Albania)
Legjislacioni italian rregullon të ashtuquajturit “institute të patronatit”, që mbështesin qytetarët përmes shërbimeve sociale. ITAL – Instituti për Tutelën dhe Asistencën e Punëtorëve – është krijuar nga UIL (Unioni Italian i Punës), që prej 70 vjetësh vepron në Itali dhe jashtë saj në shërbim të personave: punëtorë, pensionistë, të rinj, të papunë, emigrantë, italianë në emigracion. ITAL, si të gjithë institutet e patronatit, vepron në bazë të ligjit italian 152/2001 dhe dekretit ministerial 193/10.10.2008.
Veprimtaria e patronateve monitorohet nga Ministria e Punës në Itali, e cila është edhe financuese eskluzive e tyre. Janë rreth 1600 seli dhe pika kontakti ITAL, të shpërndara në territorin italian dhe në botë, në dispozicion të atyre që kanë nevojë për asistencë dhe tutelë, me qëllim që të përfitojnë nga të drejtat sociale dhe ato të punës. ITAL është krijuar bazuar mbi idenë se të gëzosh një të drejtë, nuk do të thotë automatikisht të jesh në dijeni të mundësive që gëzon apo të dish si t’i ushtrosh ato. Shumë shqiptarë të Italisë asistohen çdo vit nga ITAL, krahas qytetarëve italianë dhe të huajve në përgjithësi. Nën siglën e UIM – Unioni i italianëve në Botë, ITAL ka çelur së fundmi edhe një prezencë në Shqipëri, UIM Albania.
Nga nënshkrimi i marrëveshjes mes Institutit të Sigurimeve Shoqërore dhe UIM Albania 1 nga 7/r.e/