Rama: Dallimet janë të qarta, ne duam rimëkëmbjen, ata rrënimin
Kreu i PS-së, Edi Rama, gjatë fjalës së tij në Asamblenë Kombëtare të PS-së, ka thënë se kjo parti, si asnjë parti këto 20 vjet, ka një plan të qartë angazhimesh ndaj publikut. Ai ka thënë se PS është partia që ofron rimëkëmbjen e vendit, ndërsa mazhoranca aktuale nuk mund të bëjë gjë tjetër, veçse ta çojë vendin drej rrënimit.
Në këtë rrugë po përvijohen dallimet edhe në katër shtyllat kryesore të programit. Dallimet në raport me ekonominë, alternativa jonë është rimëkëmbja, oferta e tyre është rrënimi i mëtejshëm i ekonomisë. Ne duam punësim real, ata rritje të papunësisë, ne duam taksim të ndershëm, ata ofrojnë taksë të sheshtë që mbyt shtresën e mesme e të varfrit dhe ndan me thikë edhe vetë sipërmarrjen mes 95% të sipërmarrësve dhe një 5% që përfiton nga një politikë klienteliste me sfond tërësisht kriminal. Ne duam ta mbështetim biznesin, ata ofrojnë një rrugë qorre për të që sjellë rrënimin e tij. Ne duam shërbime publike sipas nevojës, ata vetëm sipas mundësisë për të paguar. Ne duam zhvillim modern rural, ata ofrojnë braktisjen e fshatit- tha Rama.
Rama tha se, e ashtuquajtura ulje e taksave që propozon në vijimësi kryeministri të jetë ulje për ata që janë vetëm 5% e komunitetit të sipërmarrësve dhe të jetë barrë e shtuar qoftë edhe brenda komunitetit.