Deklaratat për Çamërinë, MPJ: Janë keqinterpretuar

Një ditë pas akuzave të PDIU ndaj Ministrit të Jashtëm Edmond Haxhinasto, lidhur me deklaratat e tij lidhur me zgjidhjen e problemit të ndalimit në kufirin Shqiptaro-Grek të qytetarëve shqiptarë, të cilët kanë të shkruar në dokumentat e udhëtimit "Vendlindja: Çamëri" ka reaguar Ministria e Punëve të Jashtme. Në një deklaratë për mediat MPJ sqaron se ka vepruar në të gjithë hapësirat ligjore dhe ka marrë si përgjigje nga ambasada greke se toponimet zyrtare të Greqise, të depozituar nga ana e saj në OKB dhe institucione të tjera ndërkombëtare, nuk e përfshijnë këtë term, praktikë kjo që Greqia e ka realizuar edhe me vende të tjera fqinje. Më tej MPJ thekson se ka kërkuar një marrëveshje me palën greke për lëvizjen e lirë të kësaj kategorie personash.
“Ministria e Punëve të Jashtme, me evidentimin e ketij problemi, ka marrë kontakte të menjëhershme me ambasadën greke në Tiranë, ka protestuar, dhe ka kërkuar shpjegime se pse qytetarët shqiptarë ndalohen në kufirin grek.Nga ambasada greke është dhënë sqarimi që toponimet zyrtare të Greqise, të depozituar nga ana e saj në OKB dhe institucione të tjera ndërkombëtare, nuk e përfshijnë këtë term.Këtë qëndrim e praktikë, Greqia e ka realizuar edhe me vende të tjera fqinje të saj, më të cilët ka bërë më pas marrëveshje dypalëshe. MPJ ka kërkuar që për këtë kategori personash të realizohet një marrëveshje me palën greke me qëllim që ata të mos ndalohen në kufi dhe të kenë të drejtën të lëvizin lirshëm në territorin e Republikes Greke. Për sa më sipër Ministria e Punëve të Jashtme ka patur kontakte të vazhdueshme edhe me lidershipin e PDIU.Theksojmë me forcë se diskutimi për vendosjen e emrit të vendit "Çamëri" në dokumentat e udhëtimit të qytetarëve shqiptarë të lindur atje, nuk ka dhe nuk mund të ketë asnjë lidhje me qëndrimin e Ministrisë së Jashtme apo të shtetit shqiptar në lidhje me Çamërinë, komunitetin çam, apo të drejtat e tyre legjitime” thuhet në deklaratë.
Duke shprehur vendosmërinë për mbrojtjen e të gjithë interesave të gjithë qytetarëve shqiptarë, MPJ shpreh keqardhje për çdo përpjekje, manipulim apo politizim të kësaj çështje për qëllime të pastra populiste.