Rama: Dallimi është i qartë, ne rimëkëmbje ata shkatërrim
Është koha për një rimëkëmbje të ekonomisë shqiptare, në kushtet kur qeveria shqiptare po e shkatërron atë. Kështu është shprehur kreu i PS-së, Edi Rama gjatë fjalës së tij në punimet e Asamblesë Kombëtare të kësaj partie. Duke theksuar se alternativa socialiste është zgjedhja më e mirë, ai shtoi se PS kërkon punësim real, taksim të ndershëm, kërkon të mbështesë biznesin, ka për qëllim ofrimin e shërbimeve publike sipas nevojës dhe zhvillimin modern rural.
“Tani mund të bëhet dallimi mes nesh dhe atyre që qeverisin me vota të vjedhura. Zgjedhja për qyetarët po bëhet përditë më e qartë, ose Rilindje Shqiptare ose dorëzim përballë rrënimit të mëtejshëm. Në rrugën tonë komunikimi me njerëzit përbën një element thelbësor, ku PS do të dalë me një program të detajuar. Për ekonominë alternativa jonë është rimëkëmbja e saj, ne duam punësim real ata ofrojnë rritje të papunësisë, ne duam taksim të ndershëm ata duan taksim që mbyt qytetarët, politikë klienteliste me sfond kriminal, ne duam ta mbështesim biznesin ata u ofrojnë një rrugë qorre, ne duam shërbime publike që të ofrojnë shërbime sipas nevojës, ata duan shërbime sipas mundësisë për të paguar, ne duam një zhvillim modern rural. Taksa e sheshtë u bën të pabërën në ekonominë familjare”tha ai.
Rama ka sjellë edhe një herë në vëmendje shkatërrimin e territorit të qytetit të Krujës, ndërsa ka shtuar se qeveria po e mbyt Shqipërinë me fabrikat e cimentos. Ndërkaq duke ju rikthyer dhe një herë taksës progressive, Rama theksoi se kjo mënyrë taksimi përkthehet në ulje të taksave për 95% të shqiptarëve.Shqetësuese për kryesocialistin mbetet edhe zgjidhja e cështjes së pronave dhe mungesa e një krahu pune të kualifikuar, si bllokim absolut për investime afatgjata.
“Ajo që po ndodh me Krujën është e dhimbshme. Sikur Kruja me historinë e saj të ishte e dikujt tjetër, do të ishte një nga vendet e pelegrinazhit. Sot Kruja është bërë vendi i një badërdie, i një masakre dhe shkatërrimi që ka në sfond një aktivitet kriminal. Raporti i numrit të banorëve me fabrikat e cimentove në Europë qëndron në një mesatare një për 7 milionë banorë, tek ne është një në 300 mijë banorë. Banorët e Bulqizës janë marrë peng ,cdo dy muaj humb jetën një minator.Varfëria nuk luftohet duke luftuar të pasurit as varfërinë, por duke vendosur përgjegjësi të ndershme, jo punonjësit e thjeshtë të taksohen më shumë se Kryeministri apo Ministrat e vendit. Kjo qeveri lufton për të qëndruar, aty duke luftuar më të dobtit.Nuk ka asnjë garaci për investime afatgjata në vend, si pasojë e mosgjidhjes së cështjes së pronave. Ashtu si referencat dhe rendi ligjor.E treta është administrata, e cila është zyrë punësimi për militantët.Kualifikimi i krahut të punës, nuk kemi krah pune të kualifikuar për të garantuar investime të huaja në vend. Nuk jemi kundër spitaleve dhe universiteteve private, por nuk janë zgjidhje për këta njerëz që duhet të paguajnë 3 apo 4 herë më shumë. Shqipëria është një vend që i ka të gjitha kushtet për të rilindur”shtoi Rama .
Ndërsa sekretari për programin Ilir Beqja gjatë fjalës së tij të mbajtur në këtë mbledhje theksoi se: “Ajo që kemi përcaktuar në vija të përgjithshme në programin bazë po ndërtohet me detaje. 21 grupet e punës kanë filluar të jenë më konkretë në produktet e deritanishme. Ajo që është e rëndësishme është që në programin bazë duken qartë dallimet që kemi me kundërshtarin politik. Ne jemi angazhuar për një shërbim shëndetësor universal që nuk përjashton 1 milionë shqiptarë në moshë pune pa sigurime. Shërbimi që ne do ngremë do blejë shërbimin shëndetësor për çdo shqiptar, ne do ofrojmë shërbime për atë që kanë nevojë shqiptarët”.
Po kështu edhe deputeti Blendi Klosi, u shpreh se forca politike që përfaqëson është e gatshme të ndërtojë Shqipërinë.