Gumi: Ndryshimi i sistemit nuk është në axhendë

Reforma zgjedhore, flet ligjvënësi demokrat
Reforma zgjedhore nuk do përfshijë ndryshimin e sistemit zgjedhor, pasi sistemi nuk është pjesë e rekomandimeve të OSBE-ODHIR. Përfaqësuesi demokrat në komision dhe njëherësh ekspert për çështjet zgjedhore, Viktor Gumi u shpreh qartë idenë se në 2013-ën do shkohet me sistemin proporcional rajonal.
“Nuk ka rekomandim të OSBE-ODHIR për sistemin zgjedhor, andaj sistemi nuk është pjesë e misionit të komisionit për reformën zgjedhore. Sistemet nuk janë lodra 3 vjeçare dhe ne nuk mund të hyjmë në eksperimente”.
Ndërsa komisioni i reformës ka hedhur një hap para, duke përcaktuar numërimin elektronik për zgjedhjet e ardhshme, Gumi zbulon se brenda javës do përcaktohen modalitetet edhe për identifikimin elektronik të zgjedhësve.
“Shumë shpejt do të ketë një paketë propozimesh, për sa i përket hartimit të listës së zgjedhësve dhe identifikimit të tyre. Do të përcaktohet një mjet elektronik për identifikimin e zgjedhësve dhe nuk do të ketë gjurmë gishtash. Besoj se brenda javës së ardhshme do të përcaktohen modalitetet për identifikimin elektronik të votuesve” .
Sa i përket KQZ-së, Gumi thotë se formula do të përcaktohet pas diskutimeve mes partive edhe pse demokratët janë në mbështetje të kompozimit aktual të këtij institucioni.