E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha-Davutoglu: Shqipëria, arritje të mëdha falë reformave të qeverisë

07-04-2012 / Gazeta 55

Kryeministri Berisha takon kryediplomatin turk, Davutoğlu. Përvijohet marrëveshja që u jep përfaqësive diplomatike turke në botë mundësinë t’u ofrojë shërbim konsullor qytetarëve shqiptarë, në vendet ku s’ka prani konsullore të Shqipërisë
 
Në ditën e dytë të vizitës në Turqi, Kryeministri Berisha zhvilloi një takim me ministrin e Punëve të Jashtme të Turqisë, Ahmet Davutoğlu. Kryediplomati turk vlerësoi se Kryeministri Berisha ndodhet në një vend mik të vërtetë dhe të gjithë kanë kënaqësinë ta mikpresin në Turqi. Në këtë kontekst, ministri Davutoğlu e uroi Kryeministrin Berisha për 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë. Më tej, ministri Davutoğlu vlerësoi arritjet e rëndësishme të Shqipërisë, në veçanti performancën e ekonomisë shqiptare, duke theksuar se ekonomia shqiptare, falë politikave dhe reformave të suksesshme të qeverisë, i ka qëndruar kësaj kohe të vështira për ekonominë globale. Kreu i qeverisë shqiptare  falënderoi ministrin Davutoğlu për pritjen e ngrohtë dhe i shprehu mirënjohjen më të thelle për mbështetjen që Turqia i ka dhënë në vijimësi Shqipërisë gjatë gjithë kësaj periudhe.
Në takim u vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyera midis të dy vendeve, bazuar në miqësinë e gjatë tradicionale midis të dy popujve. Në veçanti, u vlerësua kontributi i jashtëzakonshëm i Kryeministrit Berisha dhe Kryeministrit Erdogan, në konsolidimin e mëtejshëm të kësaj tradite të shkëlqyer dhe në zgjerimin e bashkëpunimit të frytshëm midis të dy vendeve. Ne takim u vlerësua rritja e madhe e shkëmbimeve ekonomike e tregtare midis të dy vendeve, gjatë këtyre 5 viteve, e cila ka kapërcyer vlerën e 400 milionë dollarëve dhe e investimeve turke në Shqipëri, të cilat i kanë kapërcyer një miliardë dollarë, çka dëshmon për besimin që investitorët dhe biznesi turk kanë në ekonominë shqiptare dhe politikat e qeverisë, të cilat kanë krijuar klimën më të favorshme për biznes e investime.
Ministri Davutoğlu i shprehu Kryeministrit Berisha gatishmërinë e ministrisë dhe shërbimit diplomatik të Turqisë për të zhvilluar modelet më të shkëlqyera të bashkëpunimit me shërbimin diplomatik shqiptar, përfshi edhe ofrimin e shërbimeve konsullore apo të tjera për qytetarët shqiptarë në përfaqësitë turke nëpër botë, në ato vende ku nuk ndodhen përfaqësi diplomatike shqiptare.
Kryeministri Berisha e falënderoi ministrin Davutoğlu për këtë gatishmëri bashkëpunimi edhe më të ngushtë dhe shfrytëzoi rastin për t’i përsëritur mirënjohjen e të gjithë shqiptareve për mbështetjen që Turqia i ka dhënë në vijimësi Kosovës dhe njohjes ndërkombëtare të saj.
Në takim u vlerësua bashkëpunimi i shkëlqyer që të dy vendet kanë ndërtuar në fushën e sigurisë dhe në kuadër të NATO-s, si edhe u theksua roli i rëndësishëm, strategjik e i moderuar që Shqipëria ka luajtur në vijimësi në dobi të forcimit të paqes e stabilitetit në rajon e më gjerë.

Mediat turke, jehonë vizitës së kryeministrit Berisha

Shqipëria dhe Turqia bashkë për zbatimin e projektit të gazsjellësit TAP

Mediat turke të ditës së premte janë fokusuar në vizitën e kryeministrit, Sali Berisha në Turqi, një ditë më parë. Takimi i kryeministrit Berisha me kreun e qeverisë turke, Erdogan, presidentin Gyl dhe kryeparlamentarin Cicek ka mbushur faqet e të përditshmeve, të cilat i kanë konsideruar të rëndësishme për fuqizimin e marrëdhënieve mes të dy vendeve. Një nga diskutimet më të prekshme ka qenë projekti i “Trans Adriatik Pipeline” që përfshinë të dy territoret, turke dhe shqiptare.
Gazeta “Turkish Weekly” hapet me kryeartikullin; Kryeministri: Turqia bën çdo përpjekje për zbatimin e projektit TAP. Në këtë shkrim citohet fjala e Erdogan përpara gazetarëve se “Turqia ashtu sikurse Azerbajxhani po bën çdo përpjekje për zbatimin e projektit të gazit TAP”. Kryeministri turk është shprehur se Turqia është e gatshme të përdorë potencialin e saj të plotë për zbatimin e këtij projekti. Ai ka thënë se pas zbatimit të projektit në territorin turk faza e ardhshme do të jetë transporti i tij në Shqipëri e më pas transporti i gazit drejt Italisë.
Edhe gazeta tjetër “News Az” në faqen e saj të parë shkruan; Azerbajxhani po bën gjithçka të mundshme për zbatimin e projektit të Trans Adriatikut, të deklaruar nga kryeministri turk. Siç dihet, ka thënë Erdogan, gazi përmes Turqisë shkon në Gjeorgji dhe tashmë në axhendën tonë përfshihet edhe furnizimi me gaz i Italisë. Unë nuk përjashtoj që në të ardhmen gazi të furnizohet nga Shqipëria. Turqia është e gatshme të zgjerojë mbështetjen e Shqipërisë në këtë çështje ka thënë Erdogan. Ndërkohë kjo media komenton edhe vizitën e mëparshme të kryeministrit Berisha në Azerbajxhan dhe takimin e tij me presidentin e  këtij vendi, Ilham Aliyev ku ka thënë se tubacioni i gazit TAP, është me rëndësi jetike për sigurinë e gazit të Azerbajxhanit në tregjet europiane por edhe si një rëndësi jetike për sigurinë e energjisë dhe zhvillimit të Europës Lindore, rajonit të Ballkanit dhe Europës.
E përditshmja “Today Zaman” shkruan se “kryeministri shqiptar Berisha takohet me Erdogan dhe Gyl në Ankara”. Gazeta vlerëson marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe si në fushën ekonomike dhe atë diplomatike. Të dy vendet thuhet në shkrim ndajnë aspiratat për tu anëtarësuar në BE. Shqipëria dhe Turqia janë duke punuar së bashku në Afganistan si pjesë e misionit të NATO-s. Erdogan ka thënë se kishte bisedime shumë të frytshme me Berishën dhe se shumë shpejt do të vizitojë Shqipërinë pas një shkëputje tre vjeçare, thuhet në shkrim. Erdogan është shprehur për gazetarët se diskutimet me kryeministrin shqiptar u fokusuan në marrëdhëniet politike, ekonomike dhe ushtarake, ndërkohë që ka vlerësuar marrëdhëniet tregtare gjatë vitit të kaluar. Sipas kryeministrit turk vëllimet tregtare midis dy vendeve arrijnë në 400 milionë dollarë dhe kjo bie ndesh me potencialin e vërtetë të dy vendeve. Ai ka thënë gjithashtu se më shumë se 30 firma turke investojnë sot në Shqipëri dhe investimet e tyre i kanë tejkaluar të 1 miliardë dollarët. Erdogan ka thënë gjithashtu se në pesë vitet e fundit Turqia  i ka rritur me nëntë herë investimet në Shqipëri dhe po kërkon t’i shtojë më tej ato në vijim.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›