Rama: Dialog. Po me kë?

TIRANË, 20 tetor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama kërkoi sot dialog me studentët dhe pedagogët që kanë dalë në protestë, duke u shprehur i gatshëm të bisedojë me të gjithë ata që dëshirojnë dialogun.
Përmes një videoje të publikuar në rrjetet sociale, Rama tha se ishte në dispozicion, së bashku me qeverinë, për të zhvilluar bisedime me protestuesit.
Në shenjë të kësaj ftese, jashtë Kryeministrisë u vendosën disa karrige.
Megjithatë, studentët dhe pedagogët që protestonin refuzuan ftesën për dialog dhe hodhën karriget, ndërsa vijuan thirrjet kundër qeverisë.
“Për dialog, unë jam në dispozicion, bashkë me qeverinë”, u shpreh Rama në videon e publikuar.
Ndërsa protestuesit iu përgjigjën me thirrjet: “Dorëheqje!”, “Poshtë diktatura!”, “Poshtë komunizmi!” dhe “Nuk duam dialog!”.
“Deri tani, këto janë idetë e pedagogëve, dhe të intelektualëve, që janë mbledhur këtu poshtë”, tha Rama, duke iu referuar reagimit të protestuesve.
“Dialog. Po me kë?”, shprehet Rama krahas vidoes së publikuar.
Studentët dhe pedagogët vijojnë protestën, duke kundërshtuar ofertën e Kryeministrit për dialog.
/gj.m/r.e/