E Diel, 1 Nëntor 2026

Maskat tentojnë të grabisin dyqanin, plagosin pronaren

 

MAMURRAS/ ROLAND NIKOLLI
Hyjnë për të grabitur në një dyqan, plagosin pronaren. Ndërhyrja e familjarëve ka bërë që të dy autorët të bllokohen pa pasur mundësi të shkaktojnë të tjerë të lënduar e të realizojnë qëllimin pse kishin hyrë.
Sipas policisë, kanë qenë dy persona, të armatosur e me maska, të cilët mbrëmjen vonë të së enjtes e kishin caktuar për të sulmuar me qëllim grabitjen një dyqan ushqimor në pronësi të Skënder Ukës, në lagjen “Zef Hoti” në Mamurras. Autorët, 28-vjeçari Gjergj Ndoji dhe nipi i tij vetëm 16 vjeç, A.Ndoji, janë futur në dyqan rreth orës 22:45. Ata kanë gjetur në dyqan pronarin, të cilit i kanë drejtuar armën, tip pistoletë, duke i kërkuar t’i dorëzonte paratë që kishte në sirtar. Dëshmitarët kanë treguar për policinë se të dy autorët kishin vënë në kokë nga një çorap, me qëllim mosnjohjen e tyre gjatë veprimeve që do të kryenin. Pavarësisht armës dhe dy maskave, pronari i dyqanit nuk ka pranuar t’u dorëzojë paratë, por ka bërë rezistencë, duke mos i lejuar autorët që t’i afroheshin banakut. Ai është përplasur fizikisht me grabitësit. Mësohet se Uka ka kapur nga duart Gjergj Ndojin, për t’i bllokuar pistoletën, por adoleshenti ka reaguar, duke e qëlluar pronarin me mjete të forta në kokë. Zhurma ka çuar në dyqan gruan e Skënder Ukës dhe tre fëmijët e tij, të cilët kanë nisur të përleshen me autorët. Për të pasur mundësi të çlirohet nga rrethimi, Ndoji ka qëlluar dy herë me pistoletë. Njëri prej plumbave ka plagosur të zonjën e shtëpisë, 45-vjeçaren Asime Uka. Përleshja ka vazhduar në dalje të dyqanit, ku është përfshirë dhe një punonjës i policisë. Ky i fundit, sipas burimeve zyrtare, është përfshirë në përplasjen fizike, duke bërë që bashkë me pronarin e dyqanit të ndalojnë personin e armatosur. Pas ngjarjes, adoleshenti ka mundur që të largohet, por është kapur brenda një kohe të shkurtër. E lënduara e kësaj ngjarjeje, 45-vjeçarja Uka, është dërguar menjëherë në urgjencën e Mamurrasit e më pas në Spitalin Ushtarak të Tiranës, por jashtë rreziku për jetën. Pas arrestimit, të dy personave janë bllokuar në cilësinë e provës dhe çorapet e përdorura për maskim, një pistoletë TT, dhe 2 gëzhoja mod.54. Ndaj tyre janë ngritur akuzat e tentativës së grabitjes, armëmbajtjes pa leje dhe vrasjes së mbetur në tentativë.

BURREL – Gjendet një viktimë në rrëzë të një shkëmbi në Mallunxë të Burrelit. Trupi i pajetë u zbulua rreth orës 17:20 të ditës së djeshme. Banorë të zonës kanë telefonuar policinë lokale dhe kanë bërë me dije se rrëzë një shkëmbi, afro 40 metra të lartë, kanë gjetur një kufomë të seksit mashkull. Sapo është informuar, policia e Matit ka dërguar në vendin e ngjarjes ekspertë të hetimit. Nuk dihet ende nëse ngjarja është aksidentale, vrasje apo vetëvrasje nga ana e viktimës. Sipas policisë, diku në mesin e shkëmbit është gjetur xhaketa e viktimës, e cila mund të ndihmojë në identifikimin e tij. Policia e Burrelit ka nisur punën për gjetjen e identitetit të viktimës. Janë marrë në pyetje shumë banorë të fshatit Mallunxë, të cilët janë shprehur se kufoma nuk njihej prej tyre dhe ai mund të ketë udhëtuar nga qyteti i Burrelit ose zona të tjera të rrethit. Grupi i hetimit nuk ka dalë ende në një version se cilat janë shkaqet e vdekjes së 50-vjeçarit, por po hetohet në disa pista.                              h.p

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›