E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Do të heqim taksën e korrupsionit

Kështu deklaroi sot kreu socialist, Edi Rama, gjatë një takimi me drejtues të një kompanie që operon në fushën e tregtimit të automjeteve dhe pjesëve të këmbimit të tyre.

Gjatë një vizite të zhvilluar sot paradite në këtë kompani, lideri i PS është interesuar nga afër me situatën që po kalon ky lloj biznesi. Sipas drejtuesve të kompanisë-cituar nga zyra e shtypit e PS-së- vetëm në 10 muajt e fundit për shkak të vështirësive ekonomike në të cilat gjendet ky lloj biznesi janë detyruar të shkurtojnë personelin me 30%, por edhe pagat e atyre që kanë mbetur në punë me 30%.

Rama është shprehur se PS në qeverisje do të zhdukë taksën e fshehtë të korrupsionit dhe se biznesi i madh i cili është gjenerator kryesor për ekonominë kombëtare do të marrë frymë lirisht.

“Ne jemi shumë të shqetësuar, sepse nga njëra anë ka një tkurrje dramatike të kapaciteteve dhe të gjenerimit të të ardhurave për veten dhe për shtetin në një pjesë dërrmuese të biznesit të madh, që vjen si rezultat i klientelizmit, i rënies së konkurueshmërisë, i korrupsionit. Së fundmi të dhënat ndërkombëtare për konkurueshmërisë janë dramatike, kemi humbur shumë shkallë, por nga ana tjetër në këtë biznes specifik ka një shqetësim shumë serioz për të gjitha ato çka thatë”, theksoi Rama.

Kreu socialist tha se me rëndësi për biznesin e madh është heqja taksës së korrupsionit, dhe heqja e taksës së kohës, që sipas tij, janë taksa që nuk llogariten në statistikat zyrtare, por janë dy taksat më të rënda për biznesin. “Pastaj me radhë, heqja e referencave, shtimi i sigurisë për biznesin në raport me krimin dhe në raport me gjithë mjedisin e molepsur që vetëm e tkurr biznesin dhe vendosja e sipërmarrësit shqiptar në piedestal. Sipërmarrësi shqiptar përfundimisht duhet të çlirohet nga gjithë zinxhirët e frikës, nga gjithë zinxhirët që sot e mbajnë lidhur dhe tkurrur dhe do të kthehet në një figurë simbol për zhvillimin e vendit. Përndryshe ky vend nuk ka asnjë gjasë të zhvillohet në mënyrë të qëndrueshme dhe të gjenerojë një aftësi për biznes, që pastaj të sjellë vende pune. Rënia dramatike e punësimit e shoqëruar me humbje të vendeve të punës, siç e përshkruat dhe ju, është një konstante e vazhdueshme që duhet ndalur më çdo kusht. Është një rrënim i mëtejshëm që duhet ndalur me çdo kusht”, shtoi Rama. /Start/

                                                                                             2012-09-12 17:09
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›