E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Duam të shohim novatorët teknologjikë estonezë në Shqipëri, të zgjatet sezoni i fluturimeve të drejtpërdrejta

TIRANË, 15 maj/ATSH/ Kryeministri Edi Rama gjatë deklaratës së sotme të përbashkët për mediet me kryeministrin e Republikës së Estonisë, Kristen Michal, e falënderoi për mbështetjen që vendi i tij po i jep Shqipërisë në procesin e negociatave me Bashkimin Europian, duke theksuar se “presim me padurim të kalojmë në fazën tjetër shumë shpejt”.

Rama tha se “do të vazhdojmë duke nisur me mbylljen e kapitujve të negociatave”.

Më tej Rama u ndal tek bashkëpunimi ekonomik mes dy vendeve duke theksuar se “lidhjet tona ekonomike po rriten. Ju përmendët fluturimin e drejtpërdrejtë dhe dua t’ju them që është kënaqësi të shohësh trefishimin e numrit të estonezëve që nga viti 2023”.

Kreu i qeverisë u shpreh se shpreson që do të zgjatet ky sezon i fluturimeve të drejtpërdrejta.

“Dua t’u them estonezëve që, ndërkohë që lini vendin në errësirë gjeni diellin, ju ftoj të vini edhe gjatë dimrit, për të gjetur plazhet tona. E meqë ra fjala, nuk kemi simpati për Vladimir Putin, kështu që do të ndiheni krejt si në shtëpi”, tha Rama.

Kreu i qeverisë tha se “së fundi, por jo për nga rëndësia, duam të shohim novatorët teknologjikë estonezë që të hedhin sytë nga teknologjia e informacionit dhe komunikimit dhe teknologjia në Shqipëri”.

Kryeministri Rama falënderoi homologun estonez duke theksuar se “i gjithë ekipi është tejet i lumtur që gjendet këtu. Presim me padurim të bëjmë edhe më shumë së bashku, sepse prej shumë kohësh na keni mësuar dhe i tregoni çdo vendi të vogël në mbarë botën që të jesh i vogël nuk është kufizim”.

/k.s/a.f/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›