E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Duam zgjidhje brenda dy javësh

Kreu i PS-së mbledh deputetët për rikthimin në Kuvend. Takim informues me aleatët

Opozita i qëndron kërkesës për hapjen e kutive të fletëve të votimit. Deklarimet “e zbutura” të drejtuesve të saj, pas darkës së Strasburgut, sipas të cilave kutitë e materialeve mjaftojnë për transparencën e zgjedhjeve, janë rrëzuar dje përmes një qëndrimi të ardhur në formën e vendimit politik. Duke folur para grupit parlamentar, kryetari i PS-së, Edi Rama, ka ofruar një epilog domethënës, që mund të konsiderohet si mesazh për shumicën qeverisëse. “Duam zgjidhje dhe e duam brenda dy javësh. Dhe askujt nuk duhet t’i shkojë nëpër mend se ekziston një zgjidhje me kuti të mbyllura apo me fletë votimi të djegura. Jemi gati të kontribuojmë për ta gjetur zgjidhjen, në të mirë të Shqipërisë dhe të shqiptarëve, të cilët e duan dhe e meritojnë transparencën e zgjedhjeve të shkuara, për të garantuar zgjedhjet e ardhshme dhe siguruar zgjidhjet për të ardhmen”, ka deklaruar Rama. I njëjti mesazh është konfirmuar edhe në takimin e pasdites me aleatët, në të cilin këta të fundit janë informuar mbi bisedimet e Strasburgut dhe nismat e mëtejshme të opozitës. Kështu, pa filluar ende raundi i parë i bisedimeve dypalëshe që do të ndërmjetësohen nga ekspertët ndërkombëtarë, palët po rikonfirmojnë të njëjtat qëndrime që shoqëruan krizën politike 10-mujore. Por ajo që mund të kuptohet nga fjala e Edi Ramës, është fakti se ai u është drejtuar mbështetësve të vet që me sa duket refuzojnë tërheqjen para Sali Berishës. Me gjuhën “e ashpër” në zbatim të aksionit për zbardhjen e 28 qershorit, kreu socialist ka premtuar edhe njëherë qëndresë dhe rezistencë në emër të grevës 19-ditore të urisë, që aktualisht dikton nevojën e një shpërblimi politik për sakrificën e 200 njerëzve. “Përshkallëzimi i protestës sonë deri në sakrificën e madhe të grevës së urisë... ishte... reagimi legjitim i detyruar në kushtet e mungesës së vullnetit të palës tjetër për dialog... Këto dy javë mund të sjellin zgjidhjen dhe t’ia hapin më në fund rrugën transparencës, ashtu si dhe nuk mungojnë gjasat që këto dy javë të mos sjellin atë që ne kërkojmë, sepse kundërshtari ynë mund t’i ikë tryezës... Por detyra jonë është të provojmë me kurajë dhe vullnet çdo mundësi zgjidhjeje, sepse kështu luajmë rolin që kemi, si një alternativë qeverisëse... që përfaqëson denjësisht interesin kombëtar e po ashtu edhe detyrimin e pashmangshëm të Shqipërisë ndaj komunitetit ndërkombëtar”, ka deklaruar kreu socialist. Përkundrejt një perspektive të pasuksesshme për bisedimet, ai ka bërë të qartë se opozita nuk do të mungojë që t’u rikthehet protestave, si alternativë ndaj shpërfilljes së mundshme të opsioneve të saj nga ana e shumicës. Pritmëria e negociatave mes PS dhe PD ka sjellë ndërkohë një ndryshim të qëndrimeve socialiste ndaj bojkotit parlamentar. Mbledhja e djeshme e ekipit të deputetëve socialistë ka vendosur rikthimin në seancat plenare të Kuvendit të Shqipërisë dhe në komisionet e përhershme, duke lënë pas marrëdhënien e kushtëzuar. Masat e ndërmarra nga PS janë alternuar dje edhe me koordinimin me aleatët e tjerë. Në një takim të pasdites është bërë me dije se protestat do të rifillojnë nëse shumica refuzon hapjen e kutive. Sipas Spartak Ngjelës, proceset integruese të vendit do të pezullohen. “Shqipërisë i është dhënë ultimatum i rreptë nga i cili mund të frenohen të gjitha marrëdhëniet me BE-në dhe botën perëndimore, nëse palët nuk bien dakord derisa të bëhet hetimi. Të gjitha veprimet e tjera që fliten nga papërgjegjshmëria, janë në kundërshtim me të ardhmen perëndimore të Shqipërisë”, u shpreh Ngjela. Të njëjtin opinion ka përcjellë edhe kreu i G99-s, Erjon Veliaj, duke bërë prezent tensionimin e mëtejshëm të klimës politike në vend.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›