Drafti konsensual i Bosch? Nuk jam unë autori
Asnjë kërkesë politike e opozitës nuk mund të gjejë zgjidhje jashtëligjore. Numri dy i qeverisë, kreu i Lëvizjes për Integrim, Ilir Meta, ka rikonfirmuar qëndrimin e mbajtur deri më tani nga shumica lidhur me krizën politike dhe transparencën e zgjedhjeve të kërkuar nga opozita me në krye Partinë Socialiste. “Asgjë nuk ka përse të sjellë ngërç në rast se ekziston vullneti për të lexuar siç duhet edhe Kushtetutën, edhe kodin, edhe të gjitha ligjet në fuqi. Unë besoj se ekziston e gjithë hapësira kushtetuese, ligjore që këto pretendime të marrin rrugën e tyre drejt zgjidhjes apo verifikimit të tyre”, tha Meta. Prononcimi i aleatit kryesor të Sali Berishës në një kohë kur pritet fillimi i negociatave, jep mesazhe të qarta për koherencën e qëndrimeve të qeverisë rreth problemeve që vijojnë të debatohen prej 10 muajsh. Simbolikisht, rruga ligjore dhe kushtetuese e artikuluar nga numri dy i qeverisë, është një rimandatim formal që i jepet Kryeministrit për të negociuar me kreun opozitar vetëm mbi këtë bazë. Për të kuptuar më mirë qasjen teknike që shumica në pushtet pritet të mbajë rreth kërkesave që do të diskutohen në prani të ekspertëve ndërkombëtarë, vlen të sillet ajo pjesë e fjalës së Metës që lidhet me mundësinë e hapjes së kutive të materialeve zgjedhore. “...dua të siguroj se e kam pasur dhe e kam shumë të qartë nenin përkatës, ku bëhet fjalë për administrimin e të gjitha materialeve zgjedhore, ku bëhet shumë e qartë se KQZ-ja i hap të gjitha kutitë e votimit, ku bëhet e qartë se një pjesë e tyre, sipas këtij neni, transferohet në Arkivin e Shtetit dhe ku bëhet po kaq e qartë se të gjitha fletët dhe kundër-fletët e votimit digjen nën monitorimin e KQZ-së”, tha ai. Meta ka hedhur kategorikisht poshtë hipotezën e qarkulluar së fundmi në media rreth autorësisë së tij në sugjerimin e draftit që u bë publik nga kreu i Prezencës së OSBE në Tiranë, Robert Bosch. Pas lëkundjes në qëndrime të opozitës, drejtuesit e shumicës i janë përmbajtur ofertës së deritanishme, që përjashton kutitë e fletëve të votimit përmes rrugës së hetimit parlamentar. Pas ngritjes së çadrave të grevës së urisë, duket se opozita e ka ekspozuar veten ndaj interpretimeve që shohin dobësi në pozicionet dhe vendosmërinë e saj, duke rikthyer debatin politik në pikën fillestare. Ndërkohë, humbjet në politikën e brendshme “minimizohen” nga sukseset relative në politikën e jashtme. Rezoluta e miratuar nga 57 vendet e Konferencës Islamike lidhur me pavarësinë e Kosovës është cilësuar nga ministri i Jashtëm Ilir Meta si një kontribut real i Shqipërisë në zgjerimin e njohjeve të shtetit të ri.
#