Rama: Duhen trupa gjykues në nivelin maksimal për zbatimin e ligjit!

Per kreun e qeverisë Edi Rama, ligji shqiptar është ndër më të ashprit por zbatimi i tij lë për të dëshiruar. Për kryeministrin Rama duhen që trupat gjykuese të jenë ne nivelin e ligjit. “Problemi kryesor që kemi është raporti shumë i zhdrejtë mes resultative të policisë, numri i autorëve të arrestuar për krime të natyrave të ndryshme dhe për abuzime ndaj personit, me numrin e të dënuarve nga gjykatat. Bashkëautor në krimet e përsëritura janë gjykatësit, gjykatësit e korruptuar dhe të degjeneruar. Janë arsye pse procesi i vetingut për pastrimin e llumit është jetik dhe po vazhdon” tha kryeministri
Kryeministri Edi Rama tha se do të ketë një ndryshim në legjislacion për rastet e kriminelëve që kryejnë veprat e tyre penale disa herë. Ai theksoi se ky ndryshim fillimisht do të bëhet me konsultim publik. “Kemi një studim në dorë me Ministrinë e Brendshme për të gjitha rastet përsëritëse dhe kemi një numër jo të vogël rastesh ndër vite, që janë flagrante në aspektin e papërgjegjshmërisë deri tek ekstremet e trupave gjykues. Jemi duke reflektuar për një ndërhyrje në legjislacion që nuk lidhet me rastin konkret, të cilën do e përfshijmë në konsultimin kombëtar, për të marrë një opinion të gjerë përtej partive duke dëshiruar të hedhim disa hapa të guximshëm së bashku dhe duke synuar që ta ngremë nivelin e dëgjimit me njëri tjetrin. Nuk mund të them sot se për çfarë ndërhyrje bëhet fjalë”, tha zoti Rama.