E Enjte, 5 Nëntor 2026

Rama: Fillojmë menjëherë organizimin për zgjedhjet e pjesshme lokale, por partia do të fokusohet tek Këshillimi Kombëtar!

Partia Socialiste do të nisë menjëherë organizimin për zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 marsit, që do të mbahen në 6 bashki. Lajmin e bëri të ditur kreu i PS dhe kryeministri Edi Rama pas mbledhjes së kryesisë së partisë PS-së.

“Ne jemi PS, ne jemi kampionët që gjithmonë hyjnë për të fituar dhe që nuk kanë rezultat tjetër përveç fitores si opsion, aq më tepër që në politikë nuk ka barazim, apo përgjithësisht nuk ka barazim” tha zoti Rama. “Por në këtë rast këto janë zgjedhje vendore, janë zgjedhje për komunitetet. Ne nuk do të bëjmë një luftë për jetë a vdekje në kuptimin e një beteje që do të mbulojë ekranet nga mëngjesi deri në darkë”.

Por kreu i PS dhe kryeministri Edi Rama nënvizoi se fokusimi do të jetë tek Këshillimi Kombëtar, një nismë që sipas tij synon marrjen e mendimit të qytetarëve mbi çështje me rëndësi strategjike për vendin, ekonominë, shoqërinë në Shqipëri.

“Është diçka krejtësisht e lirë, krejtësisht e thjeshtë, krejtësisht miqësore. Një Këshillim për disa çështje që siç e kam thënë në fillim, ne nuk është se na mungojnë kartonët, por duam të marrim një opinion qytetarësh përtej partive, llogoreve dhe të gjithë hapësirave të përbaltura të politikës lidhur me çështje që prekin drejtpërdrejt familjet shqiptare, prekin drejtpërdrejt aspekte të ekonomisë, të drejtësisë, të sigurisë dhe sigurisht edhe aspekte të rëndësishme strategjike të politikës së jashtme”, theksoi ai. “Nuk është një nevojë taktike, është një nevojë reale për ta marrë këtë opinion për të pasur një ide të qartë se çfarë mendojnë njerëzit pavarësisht partive, pavarësisht dasive të përditshme” tha kryeministri Edi Rama.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›