Rama: Futemi në Kuvend me marrëveshje të negociuar

Komision hetimor me objekt hapjen e kutive të votimit
Nuk tërhiqemi pa u hapur kutitë. Kështu u shpreh dje kreu i opozitës, Edi Rama, gjatë emisionit “Top Story”. Në bashkëbisedimin me gazetarin Sokol Balla, lideri socialist garantoi se opozita është gati të futet në Parlament sapo të ketë qëndrimin publik për të mos kushtëzuar objektin e hetimit, duke përfshirë edhe kutitë. “Na duhet një marrëveshje e negociuar mbi bazën e kërkesave tona dhe ky është kompromisi”, tha Rama. Nuk kemi asnjë arsye të kthehemi në Parlament, këmbënguli ai, nëse Sali Berisha nuk kthehet nga rruga pa krye ku ka hyrë dhe nuk kupton se kriza është produkt i kokëfortësisë për të mbajtur mbyllur kutitë e votimit.
Duke folur për paralajmërimin e pesë deputetëve të LMN-së për thyerje bojkoti, Rama tha se asnjë lëvizje nuk mund të dalë e suksesshme dhe të ndryshojë lëvizjen e madhe të popullit socialist. Referuar raportit të dy reporterëve të Këshillit të Europës, Rama tha se kemi një lexim të drejtë. “Flitet hapur për një krizë, për nevojën e një hetimi parlamentar të zgjedhjeve dhe për dy komisione. Flitet për nevojën e një angazhimi të ndërkombëtarëve, ku jo vetëm KiE, por edhe të tjerë ftohen t’i bashkëngjiten kësaj nisme”, u shpreh Rama. Sipas tij, ka një nevojë për t’i shkuar të keqes te rrënjët, të cilat janë ato të procesit zgjedhor.
“Nuk mund të ketë një hetim të zgjedhjeve pa pasur një hetim të asaj çka kemi në ato kuti. Jo për të ndryshuar raportet e përcaktuara nga vendimi i gjykatës, por për të garantuar zgjedhjet e ardhshme”, tha Rama. Ai insistoi se nuk mund të ketë një vend europian që të jetë në këto kushte mizerabele për votën e qytetarëve. “Shqipëria është atdheu jo vetëm i Sali Berishës, por i kujtdo që jeton në këtë vend dhe kërkon të fitojë me punë të ndershme”, nënvizoi Rama. Ai sqaroi se Parlamenti është vendi ku demokracia gjen shprehjen e plotë përmes votës. “Parlamenti ka sens për aq kohë sa qytetari ka të drejtën të shprehet me votë. Vetëm në momentin kur Parlamenti është përballë një populli që nuk i mohohet e drejta e votës, numërimi i saj dhe të shohë ç’është bërë me votën e tij, atëherë ka kuptim Parlamenti”, tha Rama.
Këtë lloj Parlamenti, vijoi ai, ne e refuzojmë, pasi popullit nuk i jepet e drejta të shikojë lirshëm votën e tij. Keqardhjen për bojkotin, vijoi Rama, e kam shprehur unë që në fillim kur është shpallur ky vendim. “është e vetmja rrugë që kemi për të rikthyer lirinë e zgjedhjes. Meqenëse ne nuk jemi në Parlament, asambleja do të vijë këtu dhe do të diskutohet se si mund të zgjidhet kjo situatë”, u shpreh Rama. Ne, shtoi ai, e kemi kërkuar komisionin hetimor por e reja është se tashmë kërkohet edhe nga ndërkombëtarët. “Aty Këshilli i Europës flet për nevojën për të hetuar zgjedhjet dhe këtu bashkohemi në një qëndrim.
Ajo çka thotë zoti Berisha është bashkim jo për të njëjtin qëndrim”, theksoi Rama. Ai kërkoi nxjerrjen e përgjegjësive për çdo person të përfshirë në atë çka cilësohet dhunim i procesit. “Kemi të dhëna të mjaftueshme për mospërputhshmëri mes listave të afishuara dhe atyre të dërguara në komisionet e votimit. Duam të hetojmë përputhshmërinë e pjesëmarrësve në zgjedhje dhe procesverbaleve”, u shpreh Rama.
#