E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rritja e euros do të lërë stok ilaçet e listës së barnave

Rimbursimi i barnave, Financat: Shkurtoni faturën e shpenzimeve. Grosistët: Merrni masat për këmbimin e valutës

Lista e barnave me rimbursim për vitin 2010 ka mbetur e “ngrirë”, jo vetëm për një, por për disa arsye madhore. Problemet e krizës, e buxheteve në “dietë”, si edhe mosmarrëveshjeve, për shkak se në mes janë fitimet...
Lista e barnave me rimbursim ka mbetur pezull, pasi Ministria e Financave e ka rikthyer për shqyrtim. Komisioni i Hartimit të Listës së Barnave duhet të rishikojë edhe një herë mundësinë për të ulur më tej faturën e shpenzimeve financiare të barnave me rimbursim. Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor, bashkë me Ministrinë e Shëndetësisë duhet të japin garanci që grosistët, tregtarët e mëdhenj të ilaçeve nuk do të dalin më me deficit për shkak të rritjes së çmimit të euros apo dollarit në tregun e këmbimit të valutës.
Grosistët
“Lista e barnave me rimbursim përkohësisht ndodhet në një ngërç, për shkak të shumë faktorëve. Nga një anë Ministria e Financave kërkon që të rishikohet edhe një herë lista e barnave, ndërkohë që komisioni duhet të heqë e të shkurtojë diçka nga propozimi i parë. Kjo është arsyeja e parë që lista ende nuk është miratuar. Nga ana tjetër ne kemi kërkuar të merren masa për shkak të rritjes së çmimit të euros. Ne grosistët do të marrim barna, do të vazhdojmë të tregtojmë, por mund të mos tregtojmë më barna për rimbursimin. Ose në të kundërt t’i mbajmë ato stoqe deri në gjetjen e një zgjidhje. Ne nuk mund të pranojmë që të llogaritet tregtimi i barnave me 1.25 lekë për 1 euro”, sqaroi kreu i Shoqatës së Grosistëve, Kastriot Zotaj.
Sipas tij, disa probleme të pleksura bashkë janë bërë pengesë për miratimin e listës së re të barnave me rimbursim, e cila sipas planifikimeve duhet të ishte miratuar nga Këshilli i Ministrave që në dhjetor të 2009-s, e duhet të hynte në fuqi në janar të 2010-s.
Lista e barnave
Lista e re e barnave me rimbursim nuk do të ishte edhe aq e pasur me ilaçe të reja, ilaçe të shtrenjta e alternativa të fjalës së fundit të shkencës farmaceutike.
Lista e re e barnave me rimbursim arriti që në një kohë krize, në një periudhë të keqe për zhvlerësimin e monedhës tonë lek, dhe vlerësimin e lartë të euros në tregun e valutës, të ishte e suksesshme. Kjo për faktin se lista e re e barnave, propozimi i parë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë arriti të mbante balancat duke ruajtur të paprekura nga rimbursimi një listë të gjatë ilaçesh, nga të cilat aktualisht përfitojnë të gjithë pacientët kronikë, kryesisht mosha e tretë.Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, lista e re ka arritur të propozojë pothuajse të njëjtat ilaçe që ishin pjesë e saj edhe në vitin 2009. Megjithatë ka disa ndryshime të vogla, por nuk ka kufizime apo shkurtime që do të prekin ndjeshëm kategoritë e pacientëve kronikë, që janë edhe përfituesit më të mëdhenj nga rimbursimi.
Sakaq, grosistët, tregtarët e ilaçeve janë në pritje të negociatave dhe gjetjes së gjuhës së përbashkët mes strukturave shtetërore dhe përfaqësive të tyre, për të mos sjellë asnjë vonesë apo pengesë në bashkëpunimin, shtet-privat për shërbimet e ofruara qytetarëve, pacientëve, moshës së tretë.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›