E Diel, 1 Nëntor 2026

Pse dërgova tanket dhe Gardën në Cërrik në 1997

Arjan Cenga, ish-shefi operativ në Gardë: Nuk kam kryer vepër penale, urdhrat në praninë e Xhahit Xhaferrit

Ish-shefi operativ në Gardën e Republikës në vitin 1997, Arjan Cenga, mohon të ketë kryer vepër penale gjatë momentit të dërgimit të pesë transportuesve të blinduar drejt qytetit të Cërrikut, ku edhe ndodhi masakra. Ai akuzohet nga prokuroria për kryerjen e veprave penale ushtarake të rebelimit në kohë lufte ose në gjendje të jashtëzakonshme, ndërsa çështja e tij është në gjykim. Ai ka shpjeguar nga Holanda, vend ku ka fituar edhe azilin politik, rrjedhën e ngjarjes, si edhe mohon në mënyrë kategorike të ketë shkelur ligjet, duke i mbrojtur se ka zbatuar urdhrat. Në ato momente që ka urdhëruar nisjen e mjeteve të blinduar, ka qenë nën shoqërinë e komandantit të Gardës, Xhahit Xhaferrit.
Episodi 1
Për shkak të trazirave masive popullore të ndodhur në vendin tonë në fund të vitit 1996 dhe në fillim të vitit 1997, për të ruajtur gjendjen e rendit në vend dhe për të parandaluar kriminalitetin për shkak të rënies së firmave piramidale, Kuvendi i Shqipërisë, me vendimin numër 297, datë 2 mars 1997, ora 17.35 ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në shkallë republike (gjendje e cila është hequr me ligjin numër 8225, datë 24 korrik 2007, ora 16.38). Arjan Cenga, me urdhrin e ministrit të Brendshëm numër 353, datë 20 mars 1997, është emëruar në detyrën e shefit operativ të Gardës së Republikës, pra 18 ditë pas shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme.
Prokuroria pretendon se Arjan Cenga, në detyrën e tij si shef operativ i Gardës së Republikës, duke vepruar me kundërshtim me aktet ligjore dhe nën ligjore të organizimit të Gardës, ka konsumuar veprën penale të rebelimit. Sipas tij, organi i prokurorisë nuk ka paraqitur asnjë argument ligjor dhe fakt se cilat akte nënligjore ka shkelur dhe çfarë veprimesh ose mosveprimesh ka kryer, si edhe çfarë pasoja të rënda materiale apo në dëm të jetës ka shkaktuar ai. Përfaqësuesit e akuzës, në kërkesën për gjykim, arsyetojnë se pikërisht pas fillimit të punës së tij në këtë detyrë dhe konkretisht më datë 22 maj 1997, rreth orës 22.00 me urdhër të tij si shef operativ dhe në prani e me dijeni të komandantit të Gardës, Xhahit Xhaferri, Cenga ka nxjerrë nga territori i Gardës së Republikës dhe ka nisur në drejtimin Tiranë-Durrës-Elbasan pesë copë transportues të blinduar, të cilët kanë mbërritur në Komisariatin e Policisë Elbasan në mëngjesin e datës 23 maj 1997 në orën 02.00.
Po më datë 23 maj 1997, rreth orës 07.00, po me urdhër të Cengës dhe nën drejtimin e tij, këto mjete të blinduara janë nisur nga qyteti i Elbasanit në drejtim të qytetit të Cërrikut. Sipas prokurorisë, gjatë rrugës ata kanë ushtruar dhunë fizike e psikike ndaj banorëve të kësaj zone, dhunë e cila ka arritur në përleshje me armë si rezultat i të cilave kanë gjetur vdekjen pesë persona nga Garda e Republikës dhe janë plagosur shumë banorë të tjerë. “Prokuroria nuk ka vërtetuar e përcaktuar çfarë veprimesh kam kryer, me anë të urdhrave të kundërligjshme apo kryerjes së veprimeve konkrete për të dhunuar ose vrarë popullatën civile, me qëllim që të rebelonte vartësit e tij dhe të shkaktonte pasoja në njerëz.
është fakt i njohur botërisht që për këtë ngjarje kriminale të vrasjes së pesë gardistëve, pranë Gjykatës së Krimeve të Rënda në Tiranë është duke u gjykuar akuza e kësaj vrasjeje dhe janë marrë në përgjegjësi penale autorët e kësaj ngjarje”, pohon Cenga, nëpërmjet avokatit të tij.
Episodi 2
Prokuroria pretendon se Cenga në datë 25 maj 1997, rreth orës 09.30, kur me urdhër të tij si shef operativ në praninë e drejtuesit të Gardës, Xhahit Xhaferri, kanë dalë nga territori i gardës dy transportues të blinduar me 10-15 vetë, të cilët kanë shkuar në Spitalin Ushtarak në orën 10.00. Pretendohet se personeli i instaluar në blinde, me të mbërritur në spital kanë ushtruar dhunë fizike e psikike, pra terror psikologjik, mbi personelin mjekësor, pacient dhe qytetarë të ndryshëm, duke qëlluar me armë zjarri, çarmatosur personelin e policisë ushtarake.
Janë keqtrajtuar fizikisht dhe konkretisht Gentian Sejdo e Sherif Huqi, të cilët kanë pasur dëmtime fizike. Akuza thotë se këta persona kanë ushtruar dhunë fizike mbi mjekët e këtij spitali, Arqile Gjikondi e Elmaz Eltari, si edhe kanë ushtruar kontroll banese te ish-drejtori i spitalit, Ilir Kaja, duke marrë peng babanë e tij, Ahmet Kaja. Mbrojtja e Cengës është se prokuroria nuk është në gjendje të përcaktojë shkeljet e kundërligjshme në formën e rebelimit të kryer nga ai. Sipas Cengës, përveç tij, nuk është marrë asnjë person tjetër nën akuzë për shpërdorim detyre, heqje të paligjshme të lirisë, plagosje të lehtë.
Prokuroria pretendon se këto vepra penale janë kryer, por nuk është marrë nën akuzë asnjë person tjetër. “Si provë e vetme e fajësisë për këtë episod çmohen deklarimet e shtetasit Dashamir Shehi, i cili deklaron se veprimet e Arjan Cengës janë postuar nga komandimi për kontrollin e këtyre mjeteve”, dëshmia.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›