Rama: Gati për zgjidhje në tryezën e Presidentit, por duke hapur kutitë

Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama nuk tërhiqet nga kërkesa për hapjen e kutive duke deklaruar se është i gatshëm të ulet për zgjidhjen e krizës në tryezën e Presidentit, por duke vendosur si kusht themelor transparencën e zgjedhjeve. Në një takim me gazetarët e Durrësit duke iu përgjigjur pyetjes së "Ora News" nëse do ketë zgjidhje të krizës pas takimit me Presidentin Rama theksoi se PS është e gatshme për t'u ulur në tryezën e Presidentit, në mënyrë që kriza të marrë zgjidhje, por duke hapur kutitë e votimit.
"Sot jemi në kushtet kur kemi paralajmëruar përshkallëzim të protestës në kohën kur është hapur mundësia e një dialogu falë ndikimit të komunitetit ndërkombëtar që është shprehur për hetim të zgjedhjeve duke pranuar tezën themelore të protestës tonë. Jemi të gatshëm të ulemi në kohën që Presidenti të thërrasë tryezën dhe të kërkojmë zgjidhjen në tryezë, një zgjidhje që është e pamunduar pa hapjen e kutive të votimit", theksoi ai. Rama pohoi se PS nuk e ka filluar protestën me bojkotin e parlamentit, por me njësërë kërkesash për palën tjëtër në raport me Kuvendin.
"Para se parlamenti të konstituohej në shtator në kërkesën tonë prej një sërë pikash kemi parashtruar arsyet pse kushtëzojmë marrëdhëniet me parlamenitn dhe kemi kërkuar që pala tjetër të shprehë vullnetin për të hetuar zgjedhjet e 28 qershorit, si dhe për të pranuar disa masa paraprake lidhur me barazinë para ligjit duke theksuar se në rast se kërkesat tona merren parasysh ne hyjmë menjëherë në kuvend", shtoi ai. Kreu i PS-së tha se pala tjetër vendosi bojkotin dhe përshkallëzimin e protestës duke bërë vesh të shurdhër për kërkesat e PS-së. Kryesocialisti theksoi edhe një herë se PS nuk ka asnjë synim për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve në tavolinë .