Imami shpreh qëndrimin e Tiranës zyrtare në samitin e NATO-s në Stamboll

Përfundoi
punimet takimi i ministrave të Mbrojtjes të vendeve të NATO-s
Stamboll 5 shkurt 2010 NOA - Ka përfunduar
punimet takimi informal i ministrave të Mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s,
i cili u zhvillua në Stamboll më 4-5 shkurt 2010.
Në këtë takim ishte i pranishëm Sekretari i
Përgjithshëm i NATO-s Anders Fogh Rasmussen, si dhe ministrat e Mbrojtjes të
vendeve anëtare të Aleancës së Atlantikut të Veriut. Në takim mori pjesë edhe
Sekretari Amerikan i Mbrojtjes, Robert Gates.
Gjatë zhvillimit të takimit u diskutuan tri
çështje të rëndësishme: Buxheti i NATO-s; Kosova dhe Afganistani. Ministrat e
Mbrojtjes të Aleancës u ndalën në angazhimin e NATO-s në Kosovë, veprimet e ndërmarra
deri në muajt e fundit, si dhe përshëndetën arritjet e shënuara nga strukturat
e KFOR-it gjatë kësaj periudhe. Gjithashtu ministrat riafirmuan angazhimin e
Aleancës për të vazhduar përmbushjen e mandatit të saj për një mjedis të sigurt
në Kosovë.
Ministri i Mbrojtjes Arben Imami, i pranishëm
në këtë ministerial, u shpreh pas takimit se, në këtë takim u shfaq qëndrimi i
vendit tonë për rrugën e integrimit euroatlantik të Kosovës, duke i konsideruar
si të papranueshme nxitjet për autoritete paralele në Kosovë. Lidhur me
Kosovën, - u shpreh Ministri Imami, vlerësimi ynë është që stabiliteti politik
është i qartë, progresi është i dallueshëm. NATO dhe Kosova mund të quhen një
histori suksesi.
Por Ministri Imami theksoi se në veri të
Kosovës, sidomos në zonën e Mitrovicës ka ende probleme të sigurisë që lidhen
me struktura paralele, që nuk shkojnë në drejtimin e duhur për të cilin folëm
edhe në këtë takim të NATO-s.
Për ne, ka vijuar më tej z. Imami, është e
rëndësishme që Kosova të fillojë të futet në rrjedhën e integrimit rajonal dhe
në veçanti në rrjedhat e integrimit euroatlantik. Kjo do të ishte garancia
përfundimtare për paqe dhe stabilitet në Kosovë e në rajon.
e.r/NOA