Investitorë çekë i kërkojnë Berishës shtrirjen në Shqipëri

Kryeministri
pret përfaqësues të grupeve çeke POWEREX, TESLA dhe REXIM
Tiranë, 5 Shkurt NOA - Kryeministri Sali Berisha
priti sot përfaqësues të grupeve çeke POWEREX, TESLA dhe REXIM, të kryesuar nga
Drejtori Ekzekutiv Pavel Ryvola. Grupi i paraqiti Kryeministrit propozime për
projekte në fushat e infrastrukturës, energjisë së rinovueshme, në depozita
gazi, impiante të trajtimit të ujërave të zeza, projekte ambientale në lidhje
me përpunimin e mbetjeve urbane. Projekt-idetë shoqëroheshin edhe me skemën
financiare, që konsistonte nga sektori privat, fonde financiare dhe nga Banka
Çeke e Eksportit.
Përfaqësuesit e grupeve çeke thanë se
performanca ekonomike e Shqipërisë në këto vitet e fundit edhe pse kohë krize
botërore, mundësitë investuese që ofron vendi, klima shumë tërheqëse e
investimeve bënë Bordin e Grupit të tyre të mendojë për të shtrirë investimet
edhe në Shqipëri.
Ata thanë se grupi REXIM ka histori të
suksesshme bashkëpunimi me biznesin dhe qeverinë shqiptare në fushën inxhinierike
për prodhim energjie, në fushën e mbrojtjes për pajisje të ndryshme etj..
Kryeministri këtu u bëri një përmbledhje të
mundësive investuese në fushat me interes për ta.
Ai theksoi se edhe në programin e qeverisë së
tij janë shumë të rëndësishme forcimi i investimeve të huaja direkte dhe në
bashkëpunim me investitorët vendas në fushat e mësipërme.
Berisha i garantoi për mbështetjen e qeverisë
së tij dhe strukturave të saj, duke ofruar lehtësira dhe incentiva, sidomos në
fushën e prodhimit të energjisë së rinovueshme si nga dielli, era dhe biomasa.
Projektet e përbashkëta, në bashkëpunim me
kompani të tjera vendase apo të huaja, krijojnë mundësinë e ndërmarrjes së
investimeve për vepra të përmasave të mëdha dhe Shqipëria e ka provuar që është
e aftë dhe e zonja ti ndërmarrë ato, - tha Berisha.
r.b/NOA