Rama: Gati të ulem në bisedime për krizën ekonomikë dhe parazgjedhore. PD: Ti je mafioz
Kryetari i PS, Edi Rama, i kërkoi dje kryeministrit Berisha të ulen në bisedime për të kapërcyer krizën parazgjedhore, si dhe për të ndihmuar në zgjidhjen e krizës ekonomike. Një ditë pasi deputetët e opozitës braktisën seancën parlamentare në shenjë proteste ndaj qeverisë për çështjen e kartave të identitetit, kryetari socialist saktëson qëndrimin e partisë së tij se nuk do të ketë bojkot parlamentar, por theksoi se do të ketë protesta mbarëkombëtare, nëse mazhoranca nuk pranon të ulet në bisedime me opozitën për të gjetur zgjidhjen për kartat e identitetit. “Dje opozita jonë doli nga Kuvendi, jo për ta bojkotuar atë, po për të rritur nivelin e shqetësimit publik për dështimin që kërcënon zgjedhjet, ngaqë kryeministri vazhdon t’u mohojë të drejtën e votës qindra-mijëra qytetarëve, duke bërë shurdhin ndaj kambanës së alarmit tonë për pasojat katastrofike të taksës së votës. Unë e siguroj sot Sali Berishën se as kriza ekonomike, që po hyn përditë e më thellë në ekonominë reale të familjeve e të sipërmarrjeve shqiptare, nuk mund të menaxhohet duke bërë sikur s’ka problem dhe as kriza politike, që po afrohet përditë e më shumë bashkë me dështimin e procesit të pajisjes së zgjedhësve me karta identiteti, nuk mund të shmanget duke bërë sikur s’ka problem. Kriza ekonomike është mes nesh, në çdo familje e sipërmarrje shqiptare. Kriza politike duhet shmangur prej nesh me angazhimin e të dy palëve dhe mos-përjashtimin e asnjë qytetari shqiptar nga procesi zgjedhor. Do apo s’do qeveria, në këtë vend janë qindra-mijëra familjet që nuk e përballojnë dot taksën e votës dhe askush nuk mund të mbetet pa votuar, sepse nuk paguan dot për kartën e tij të identitetit”, - tha Rama.
Duke e vlerësuar kritike situatën në vend, Rama u shpreh dje se opozita e ka zgjidhjen për këtë situatë. Ai tha se Partia Socialiste është e gatshme të ulet në bisedime me mazhorancën për të zgjidhur krizën zgjedhore, por edhe atë ekonomike, dhe në rast të mosrealizimit të këtij propozimi, opozita është e gatshme për t’u ngritur në protesta mbarëkombëtare për kartat e identitetit dhe çështje të tjera që kanë të bëjë me keqqeverisjen. “Ne kemi zgjidhje, nëse qeveria do vërtet të bëjë zgjedhje. Ne e dimë si zgjidhet kjo krizë paaftësie e papërgjegjshmërie, nëse Sali Berisha nuk ka qëllimin e mbrapshtë të manipulimit të zgjedhjeve. Ne jemi gati të ulemi për ta zgjidhur këtë nyje që rrezikon të mbysë zgjedhjet, por jemi po ashtu gati të ngrihemi në të gjithë Shqipërinë, nëse ata që e sollën procesin deri në këtë pikë të hallit, duan ta mbajnë pushtetin pa zgjedhje të lira e të ndershme të standardeve euroatlantike. Apeli im për kryeministrin është të dëgjojë kambanat e alarmit që bien për të, sepse mbi të është barra e përgjegjësisë për të garantuar zgjedhjet duke garantuar votën e çdo qytetari e qytetareje të këtij vendi dhe mbi të do të bjerë e gjithë përgjegjësia historike për një dështim të zgjedhjeve që askush nuk e dëshiron”, - tha Rama.
Reagimi
Demokratët i janë përgjigjur kërkesës së kryetarit të PS, Edi Rama, për bashkëpunim për daljen nga kriza ekonomike dhe ajo parazgjedhore, duke kërkuar ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar për lejet e ndërtimit që janë dhënë nga Rama si kryetar bashkie.
Grupi parlamentar i PD ka depozituar dje në kryesinë e Kuvendit kërkesën për krijimin e një komisioni parlamentar “për hetimin e dhënies së lejeve të ndërtimit nga Bashkia e Tiranës në periudhën 2007 e në vazhdim”.
“Komisioni do të hetojë procedurat e dhënies së lejeve të ndërtimit në mënyrë krejtësisht abuzive, klienteliste e në konflikt interesi në Bashkinë e Tiranës, duke krijuar një kartel të paligjshëm ndërtimi, bllokimin dhe mos-dërgimin e Planit të ri Rregullues të Bashkisë së Tiranës për miratim, sipas ligjit, dhe abuzimet me dhënien e lejeve të ndërtimit në mungesë të këtij plani rregulluese”, - tha Ferdinand Xhaferri, deputet i PD.
Komisioni hetimor do të përbëhet nga 9 anëtarë, 5 nga shumica parlamentare dhe 4 nga opozita. Kryetari i tij do të jetë nga grupi politik nismëtar, ndërsa nënkryetari nga opozita. Veprimtaria e këtij komisioni do të përfshijë një periudhë trejavore nga krijimi i tij, një kohë kjo e mjaftueshme për përfundimin e hetimeve dhe hartimin e raportit.
Nuk janë mjaftuar me kaq, por edhe zëdhënësja e Partisë Demokratike, Erla Mëhilli, ka rezervuar disa akuza në drejtim të kryetarit të PS. Ajo e ka quajtur Ramën “mafioz”.
“Sot, ditën kur ai vendosi dhe kodin më të madh të mafies dhe kartelit të ndërtimit, sot, kur ai për vete dhe Eftimin e tij nga 30 leje ndërtimi mori 19 prej tyre, sot, pikërisht sot, doli dhe derdhi lot krokodili për krizën ekonomike, për rënien e të ardhurave, për dështimin e procesit të zgjedhjeve, për garantimin e të drejtës së votës. Z. Rama, as me deklaratat që bën e me asgjë tjetër, s’do mund të mbrosh e të heqësh vëmendjen nga karteli i mafies së ndërtimit që ti drejton”, - tha Mëhilli.