E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edhe Fazlliç padit prokurorinë për zgjatje hetimesh

Nga NOA

Biznesmeni anglo-boshnjak, Damir Fazlliç, ka paditur prokurorinë e Tiranës për zgjatjen e afateve hetimore në ngarkim të tij.

Burime zyrtare nga mbrojtja ligjore e z. Fazlliç thanë për agjencinë e lajmeve NOA, se kërkesa është dorëzuar në gjykatën e rrethit të Tiranës nga avokati mbrojtës i përfaqësuar me prokurë, Genc Gjokutaj.

Padia mban numrin 771, ndërsa ka si objekt të saj ankimimin e zgjatjes së afateve të hetimit.

Dje është hedhur edhe shorti elektronik, ndërsa gjyqtari i caktuar për të shqyrtuar këtë çështje është Gjin Gjoni.

Në kërkesë, mbrojtja kërkon pushimin e vendimit të prokurorisë për zgjatjen e hetimeve ndaj biznesmenit boshnjako-britanik, Damir Fazlliç, edhe një muaj.

Gjykatësi i caktuar për shqyrtimin e kësaj çështjeje do të vendosë, nëse do ta pranojë apo jo kërkesën e palës paditëse.

Në rast se gjykata vendos pro Fazlliçit, atëherë prokuroria duhet të pushojë menjëherë hetimet e saj.

Biznesmeni anglo-boshnjak Fazlliç është nën hetim nga prokuroria për veprën penale të “Pastrimit të produkteve të veprës penale”, hetime të cilat nisën më datën 8 tetor të vitit të kaluar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›