Haan: Nuk isha një trajner, isha më shumë një menaxher ekipi
Vetëm 24 orë pas zyrtarizimit të shkarkimit të tij, ish-trajneri holandez i Shqipërisë, 60-vjeçari Ari Haan, ka folur për një nga mediet kryesore sportive në Holandë.
Revista “Voetbal International” citon faktin se Haan u shkarkua nga “Federata e Futbollit të vendit të Evropës Lindore, për rezultatet e dobëta në kualifikueset e Kupës së Botës. Bashkë me Haan u larguan automatikisht nga stafi teknik edhe dy ndihmësit e tij, Vim Surbier e Nikola de Bri. Haan gjatë intervistës dhënë për revistën sportive holandeze e përkufizoi punën e tij: “Unë isha më shumë një menaxher ekipi sesa një trajner”.
Ja dhe intervista e plotë:
Sipas komunikatës së shtypit të dhënë dje (të mërkurën, nga Federata Shqiptare e Futbollit), ju u ndatë përmes një marrëveshjeje të pranueshme (nga drejtimi i Kombëtares shqiptare).
Federata nuk dëshironte që unë të largohesha, por thjesht ne nuk arritëm të punonim së bashku. Ju mund të humbisni gjithmonë ndeshjet, por unë dëshiroja të punoja në një mënyrë tjetër nga ajo që m’u mundësua në Shqipëri.
Federata theksonte se rezultatet në kualifikueset e Kupës së Botës nuk ishin mjaftueshëm të mira.
Rezultate të dobëta? OK, por ata do të thoshin patjetër diçka. Ndeshja kundër Maltës ishte shumë e keqe, por kundër Hungarisë ne humbëm, se ishim të pafat në shtëpi, dhe po kështu atje në vendin e tyre, edhe pse ne u përpoqëm.
Përse ndodhi kjo?
Ishte Federata, që gati në mënyrë direkte më kërkoi që ne të kualifikoheshim për Kupën e Botës në Afrikën e Jugut, dhe duhej të fitonim patjetër ndeshjen me Hungarinë. Ne nuk ishim mirë në punët organizative. Këtë e diskutova edhe gjatë stërvitjes së parë që unë pata në Shqipëri (për ndeshjen me Hungarinë). Nuk kishte asgjë të rregullt dhe unë i shkrova një letër presidentit Armando Duka. Stadiumi ishte mbyllur dhe përfundimisht ishte ministri (i MTKRS), ai që urdhëroi të hapej. Nga ana tjetër, atje ku qëndronim, nuk ishte një hotel i rregullt, nuk kishte ushqim, nuk kishte pije. Unë ndihesha më shumë një menaxher sesa një trajner. Përfundimisht, ishte iniciativa ime që Duka dhe unë të flisnim me njëri-tjetrin. Ishte thjesht një bisedë formale “çfarë mendon ti dhe çfarë mendoj unë”. Arritëm shumë shpejt në përfundimin se nuk kishte më arsye të punonim së bashku.
Çfarë nuk arritët ju të bënit?
Ne nuk fituam. Dhe ndoshta unë dëshiroja të bëja shumë gjëra përnjëherësh. Ndoshta unë e di se në një vend si Shqipëria, jo gjithçka është e mundur. Unë nuk kisha më fuqi. Më tepër isha i zënë me planifikimin e ndeshjeve. Ata nuk kishin asnjë objektiv, asnjë plan. OK, kaq është mjaftueshëm për Shqipërinë. Unë nuk kisha shumë influencë aty. Kjo e krahasueshme, për shembull, me kohën time në Kinë. Atje kisha gjithçka.
Sa herë që ikni nga diku, kujtoni kohën tuaj në Kinë. Përse nuk ktheheni atje?
Muajin tjetër do të shkoj atje. Federata kineze gjithmonë më telefonon, menjëherë sapo unë largohem nga diku. Brenda pak javësh ne do të bisedojmë sërish.