E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Gati të ulemi në tryezën e diskutimeve

25/02/2011  Kreu i PS-së i përgjigjet thirrjes së Presidentit Topi për zgjidhjen e krizës politike

“Jemi të gatshëm të bëjmë gjithçka mundemi, por me ndihmën e partnerëve të Shqipërisë”

“Jemi gati të hedhim çdo hap të mundshëm përpara për të garantuar votën e çdo shqiptari në zgjedhjet e ardhshme vendore”, - ky ishte qëndrimi i Partisë Socialiste, i bërë me dije dje nga vetë kreu i saj Edi Rama në letrën drejtuar kreut të shtetit Bamir Topi. Kështu, në përgjigje të thirrjes që Presidenti Topi u drejtoi partive politike për zgjidhjen e krizës, kryetari i PS-së përmes kësaj korrespondence informoi pozicionin e partisë që ai drejton si kundrejt institucioneve të dala nga zgjedhjet e vitit 2009, ashtu dhe në garën e afërt për zgjedhjet vendore.

Garancia

Kryetari i PS-së, Edi Rama, iu përgjigj dje kërkesës së Presidentit Topi për zgjidhjen e krizës, duke garantuar se partia e drejtuar prej tij është e gatshme për tu ulur në tryezën e diskutimeve për të dalë nga kriza e tejzgjatur. “Ju garantoj se bojkoti i zgjedhjeve vendore nuk ka qenë kurrë dhe nuk do të jetë në asnjë rast një opsion yni. Pas farsës elektorale të qershorit 2009 ne kemi qenë të bindur se nuk mund, sduhet dhe sdo të lejojmë që zgjedhjet e radhës të jenë farsa e radhës. Por pas 21 janarit ne jemi të bindur se në kushtet e sotme zgjedhjet thjesht nuk mund të bëhen, në rast se vërtet duam që ato të jenë një garë e lirë dhe e ndershme, jo një farsë edhe më e pagëlltitshme, që do të nxisë precipitimin e mëtejshëm të krizës”, - vuri në dukje Rama në letrën e tij, duke lënë të hapur mundësinë e bashkëpunimit për ndryshimin e kushteve, por në prani të ndërkombëtarëve. Për këtë arsye Rama u shpreh se këto kushte mund të ndryshojnë dhe duhet të ndryshojnë. “Për sa na takon neve jemi të gatshëm të bëjmë gjithçka mundemi që ato të ndryshojnë pa dyshim me ndihmën e pazëvendësueshme të miqve e partnerëve të Shqipërisë. Ne besojmë se angazhimi së fundi i komunitetit ndërkombëtar përmes misionit të zotit Lajçak është një shans i mirë, të cilin palët nuk mund ta humbasin bashkë kohën që ikën.”

Qëndrimi

Në letrën e tij kreu i socialistëve i mëshoi me forcë faktit se vendi është në krizë të thellë, të cilën 21 janari e nxori në pah dhe përgjegjës është qeveria e kryeministrit Berisha. Në këtë linjë, kryetari socialist kërkoi zbardhjen e plotë të vrasjeve në këtë demonstratë, si dhe shprehu bindjen se këto demonstrata do të vijojnë deri në largimin e qeverisë “Berisha” dhe zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme. Ndalur në krizën politike, Rama nënvizoi se “kjo është kriza e kapjes së shtetit për interesat e pushtetit, e cila përthyhet në një demokraci të kërcënuar në çdo aspekt, drejtësi të kompromentuar në çdo nivel të pushtetit gjyqësor, ekonomi të rrënuar nga korrupsioni e papunësia”. Në këtë kontekst, Rama shtoi se “brutaliteti që ushqen kapja e shtetit dhe në anë tjetër frika e pushtetit prej vetëdijësimit të popullit për nivelin marramendës të korrupsionit ishin dy arsyet e qenësishme pse më 21 janar demonstrata paqësore e u provokua fatalisht, duke degraduar në vrasje nga Garda republikane”.

Turi

Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, starton sot turin e tij të takimeve në bazë. Do të jetë qyteti i Elbasanit nga ku ai do të nis një tur i tillë. Të konsideruara këto si takime që do të shënojnë një parafushatë elektorale. që do të nisë sot forca më e madhe opozitare, ato do të kenë në qendër të saj akuza dhe kritika ndaj qeverisë “Berisha”. Madje, ngjarjet e 21 janarit, ato në të cilat do të përqendrohet kundërvënia ndaj kundërshtarit.

Mesazhi

“Aktet sporadike të dhunës së ushtruar nga demonstruesit e provokuar keqas janë tërësisht individuale dhe duhen hetuar dhe gjykuar një për një nga institucionet e pavarura në bazë të ligjeve të kësaj republike. Shqipëria nuk mund të detyrohet ta kalojë 21 janarin si përmbytjen e radhës, si skandalin korruptiv të radhës, si rritjen statistikore të radhës në numrin e të vrarëve për shkak të keqqeverisjes”, - theksohej në letrën e Ramës.

Kriza politike

Dade raporton në Asamblenë Parlamentare të OSBE-së

Partia Socialiste ka ngritur shqetësimin e saj për krizën politike në vend edhe në Asamblenë Parlamentare të OSBE-së. Sekretarja ndërkombëtare e PS-së, deputetja Arta Dade, njëkohësisht anëtare e delegacionit parlamentar shqiptar pranë Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, po merr pjesë në punimet e sesionit të dimrit të kësaj asambleje, që po mbahet në Vjenë (Austri) më 24-25 shkurt. Gjatë mbledhjes së Komisionit të Përgjithshëm për Demokracinë, të Drejtat e Njeriut dhe Çështjet Humanitare, deputetja Dade ngriti shqetësimin për krizën e rëndë politike që ekziston në vend dhe korrupsionin në rritje, që sipas saj sollën si rezultat demonstratën e 21 janarit, gjatë së cilës u vranë nga Garda e Republikës 4 qytetarë të pafajshëm jashtë territorit të Këshillit të Ministrave. Gjithashtu Dade e vuri theksin te “dhunimi flagrant i të drejtave të njeriut gjatë dhe pas protestës, ushtrimin e dhunës në komisariate ndaj pjesëmarrësve në këtë demonstratë, plagosjen dhe dhunimin e gazetarëve etj”. Po kështu deputetja e PS-së informoi anëtarët e këtij komisioni për sulmet e paprecedenta të maxhorancës ndaj institucioneve të pavarura, si dhe shprehu shqetësimin se kjo maxhorancë po e kthen Parlamentin në një institucion jofunksional, ku shkelen hapur të drejtat e opozitës dhe nuk respektohet Rregullorja e miratuar për funksionimin e këtij institucioni. Madje, duke bërë thirrje për një angazhim më të madh të OSBE-së, Dade shtroi nevojën e vizitës së një misioni të Asamblesë për të verifikuar gjendjen e demokracisë së rrezikuar në Shqipëri.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›