E Diel, 1 Nëntor 2026

Vetëdeklarimi i kombësisë, një rrezik i madh për vendin

25/02/2011  Nënkryetari i KLD-së, Kreshnik Spahiu: Ndërrimi është fiktiv, i detyruar nga ekonomia

SHKODER- Nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu, ka zhvilluar në Universitetin e Shkodrës një takim mes gjykatës, juristëve dhe përfaqësuesve të shoqërisë. Qëllimi i këtij takimi ishte diskutimi rreth çështjes së vetëdeklarimit të kombësisë, e diskutuar shumë kohët e fundit në vendin tonë.

Vetëdeklarimi i kombësisë

Duke e konsideruar vetëdeklarimin e kombësisë si një rrezik të madh për Shqipërinë, Spahiu ka theksuar se vitet e fundit ka pasur me mijëra kërkesa për ndërrim kombësie në gjykatat shqiptare. Spahiu theksoi se ndërrimi i kombësive nga shqiptarë në grekë, serbë, apo kombësi tjetër është fiktiv, dhe i detyruar në të shumtën e rasteve nga kushtet ekonomike. “Kohët e fundit jam informuar se edhe në gjykatën e rrethit gjyqësor Shkodër ka pasur dhe kërkesa për ndryshim kombësie, duke lënë kombësinë shqiptare dhe duke kërkuar që të merret kombësia malazeze apo serbo-malazeze. E them këtë, sepse kohët e fundit në Shqipëri ka pasur një tendencë, ka pasur mijëra kërkesa për të lënë kombësinë shqiptare dhe për të marrë kombësi të huaja, kryesisht të vendeve fqinje. Nëse ne do kemi një tolerancë në legjislacion, por edhe në moszbatimin e ligjit në lidhje me lënien e kombësisë duke marrë kombësitë greke, serbe, malazeze, maqedonase në mënyrë fiktive dhe artificiale, po ju them me bindje të plotë se kjo do të përbëjë rrezikun më të madh për sovranitetin dhe të ardhmen e Shqipërisë, një rrezik, jua them këtë me bindje të plotë, se për një Shqipëri të varfër, për një Shqipëri në zhvillim, për një Shqipëri që po tenton të konsolidojë demokracinë dhe shtetin juridik, kam bindjen absolute që një regjistrim me baza etnike dhe me një vetëdeklarim të kombësisë dhe të fesë do të rrisë garën e komuniteteve dhe përkatësive të ndryshme, duke rritur tensionet etnike dhe fetare në vend”, theksoi nënkryetari i KLD-së, Kreshnik Spahiu. Njëkohësisht Spahiu e konsideroi tepër të dëmshme për vendin tonë tendencën për të pasur një garë të shfrenuar, në kundërshtim me standardet evropiane, për t’u regjistruar si shqiptarë, serbë, malazezë apo grekë. Sipas Spahiut, asnjë vend i Bashkimit Evropian nuk detyron qytetarët e tij të vetëdeklarojnë, apo të ndryshojnë përkatësinë etnike, apo atë fetare. Ndërkohë Spahiu solli rastin e SHBA-së, ku shteti e ka të ndaluar të pyesë qytetarët e vet për besimin e vet, sepse është detyrë e komuniteteve fetare të bëjnë sondazhe, për numrin e përkatësisë së tyre fetare, ashtu siç ndodh në Gjermani, Francë, në Itali, apo kudo tjetër. Nga ana e tij kryetari i gjykatës së rrethit gjyqësor Shkodër, Andri Ymeri, solli rastin e vetëm të kohëve të fundit kur një qytetar me kombësi shqiptare ka kërkuar që nëpërmjet gjykatës të ndërrojë kombësinë, pasi dëshironte të merrte atë malazeze. Për këtë rast Ymeri theksoi se e ka pezulluar çështjen dhe ka kërkuar shfuqizimin e pjesshëm të ligjit të gjendjes civile. “Një shtetas shqiptar me kombësi shqiptare kërkoi ndryshimin e kombësisë nga shqiptare në malazeze. Duke konstatuar se ligji për gjendjen civile ia lejon këtë gjë dhe duke konstatuar se ky ligj bie ndesh me Kushtetutën kam vendosur pezullimin e gjykimit dhe kam dërguar çështjen në Gjykatën Kushtetuese, ku kam kërkuar shfuqizimin e pjesshëm të ligjit”, theksoi kreu i gjykatës së rrethit gjyqësor Shkodër, Andri Ymeri. Pas këtij diskutimi, nënkryetari i KLD-së, Kreshnik Spahiu, dhe kreu i gjykatës së shkallës së parë Shkodër, Ymeri, u ndalën dhe tek problemet që hasen në legjislacionin shqiptar, që sjell mosdënimin me burg të zyrtarëve të liruar nga detyra për shpërdorim detyre. Spahiu bëri të ditur se KLD-ja ka bërë propozimet e duhura, por miratimi i tyre kërkon 2/3 në Parlament. Në fund të takimit Spahiu shprehu rezerva për bashkëpunimin Prokurori –Gjykatë.

Thirrje popullsisë për të mos marrë pjesë

Fierakët në protestë: Jo regjistrimit

mbi baza etnie dhe fetare

FIER- Pjesëtarë të disa shoqatave jo qeveritare në Fier, të mbledhura në bashkim për identitet kombëtar, kanë protestuar kundër ligjit diskriminues siç e kanë quajtur ato, ligjin e regjistrimit të popullsisë shqiptare. Përfaqësues të këtyre shoqatave i kanë kërkuar qeverisë anulimin e këtij ligji, ndërsa i kanë sugjeruar rishikimin e tij si dhe veprimin në një kohë tjetër më të përshtatshme dhe jo në këtë kohë ku mbizotëron kriza politike. Me flamuj dhe pankarta ku shkruheshin fjalë kundër deklaratës së konsullit grek Ikonomus në Korçë, tubuesit janë vendosur në qendër të qytetit Fier. Në emër të shoqatave përfaqësuesi Kristaq Ziu i bëri thirrje popullsisë që të mos marrë pjesë në këtë proces dhe e cilësoi atë si antikombëtar. Ai ftoi qytetarët që të përkrahin nismën e nënkryetarit të KLD-së, Kreshnik Spahiu, për mbrojtjen e identiteti tonë si shqiptar…. Edhe pjesëtarë të tjerë të protestës kanë kërkuar ndërgjegjësim të qytetarëve fierakë për të mbrojtur identitetin kombëtar. Kjo nuk është e para herë që shoqatat për identitet dhe bashkim kombëtar organizojnë protesta në mbrojtje të interesave kombëtare në qytetin Fier. A. Damini

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›