E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Hapja e kutive, kërkesë e patjetërsueshme

10/02/2010  Hapja e tryezës së dialogut për krizën, PS artikulon qëndrimin
Kreu socialist Balla, Dade e Ahmetaj sot në Strasburg për konsultime
Hapja e kutive është një kusht i patjetërsueshëm për të pasur një hetim të plotë dhe për të garantuar një transparencë të të gjithë procesit zgjedhor, në funksion të Kushtetutës dhe ligjit, duke zbërthyer të gjitha elementet që e përbëjnë procesin. Ky qëndrimi i ardhur dje nga selia rozë, një ditë pas deklarimit nga ana e kreut të shtetit për datën kur dy drejtuesit e partive kryesore në vend do të ulen në tryezën e bisedimeve, lidhur me krizën politike në vend. Por ndërkohë, nga ana e PS-së shihet qartë qëndrimi i palëkundur për t’i shkuar deri në fund hetimit të zgjedhjeve, dhe kjo duke përfshirë dhe hapjen e kutive. Një fakt i tillë u bë i ditur nga vetë kreu i kësaj partie, Edi Rama, i cili gjatë një gjatë një komunikimi me mediat sqaroi lidhur me ftesën e kryetarit të shtetit për bisedime mes PS-PD, si dhe pozicionin që do të mbajë partia e tij në këto negociata. Nga ana tjetër, kreu Rama, së bashku me deputetët Taulant Balla, Arta Dade e Arben Ahmetaj do të nisen sot për në Strasburg, për të zhvilluar takime me partnerët e majtë evropianë, në funksion të këtyre negociatave, me ftesë të këtyre të fundit.
Qëndrimi
Kreu i PS-së, Edi Rama, referuar njoftimit të bërë nga Presidenti Topi për hapjen e tryezës së dialogut për të trajtuar dhe zgjidhur krizën politike dhe institucionale në vend, vlerësoi këtë moment si “shprehje e progresit të bërë në një përpjekje që tashmë nuk është vetëm e jona, por edhe e miqve dhe partnerëve ndërkombëtarë, për të zgjidhur një krizë që thellohet dita ditës me implikime të rënda në të gjitha fushat e jetës së vendit”. Sipas tij, PS-ja nuk kërkon hapjen e kutive për të përmbysur pushtetin në tavolinë. “Ne duam të hapim kutitë për të hetuar procesin dhe përmes hetimit të procesit të plotësojmë të gjithë kuadrin kushtetues për një hetim parlamentar me të gjitha aspektet, të cilat duhet ta shqetësojnë dhe vënë në lëvizje Parlamentin e vendit kur bëhet fjala për të trajtuar këtë çështje dhe për t’i dhënë zgjidhje një sërë problemesh që dalin nga hetimi”, vlerësoi Rama. Gjithashtu, kreu socialist informoi se “do të nisem në Strasburg, për një ditë të komunikimit masiv me miqtë e Partisë Socialiste Evropiane, me të cilët jemi në kontakt të vazhdueshëm dhe të cilët janë seriozisht të angazhuar për të dhënë kontributin e tyre në zgjidhjen e kësaj krize”.
Protestat
“Për sa i përket protestës, ne jemi në protestë, sepse nuk jemi në Parlament. Shfaqja e kësaj proteste në të gjitha format e veta është pjesë e këtij procesi, i cili sot është i fokusuar tek tryeza dhe për këtë arsye edhe gjithë përgatitja jonë për çka vjen më pas zhvillohet në një formë tjetër të përshtatur me nevojën për t’i dhënë dialogut hapësirën e vet”, vuri në dukje kreu socialist lidhur me një moment të tillë, duke e argumentuar zhvillimin e protestave si një moment, i cili do të sillte dhe zgjidhjen e krizës politike.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›