E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trajnim mjekëve mbi përdorimin e tyre

10/02/2010  Medikamentet e reja
Materniteti “Koço Glozheni” javën e ardhshme do të zhvillojë një trajnim me mjekë italianë për përdorimin e medikamenteve të reja që do të përdoren për herë të parë në vendin tonë. Këto të fundit do të ndihmojnë në përmirësimin e shëndetit të nënës dhe fëmijës, si dhe shmangien e deformimeve që mund të ndodhin te fëmijët që në barkun e nënës. Përveç kësaj, ulja e vdekshmërisë foshnjore, minimizimi i operacioneve cezariane, por edhe informatizimi i të dhënave të të gjithë pacientëve do të jenë prioritetet kryesore përgjatë vitit 2010 për këtë maternitet. Këto nisma janë prezantuar nga drejtorja e këtij materniteti, Rubena Moisu, gjatë prezantimit të ecurisë njëvjeçare të punës në këtë institucion. “Vdekshmëria përreth lindjes, që do të thotë para, gjatë dhe pas lindjes, është ulur këtë vit në krahasim me vitet e tjera, por do të dëshirojmë ta ulim edhe më shumë, në mënyrë që të arrijmë nivelet evropiane. Do të tentojmë vazhdimisht të ulim lindjet me operacion”, është shprehur Moisiu. Ndërkohë që sipas të dhënave të publikuara rezulton se Shqipëria renditet si një ndër vendet me vdekshmërinë më të lartë foshnjore, krahasuar me shtete fqinje evropiane. Një ndër kritikat e bëra ndaj këtyre institucioneve është edhe mbledhja e pagesave informale nga bluzat e bardha, të cilat abuzojnë me ofrimin e shërbimeve shëndetësore. I pranishëm në këtë aktivitet, ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, ka kërkuar rritjen e transparencës në institucionet shëndetësore, duke e konsideruar atë një kusht të domosdoshëm për reformën në shëndetësi, për të luftuar korrupsionin në radhët e bluzave të bardha e më gjerë. “Sistemi shëndetësor shqiptar ka drejtësi shoqërore. Nuk mundet të stimulojmë më spekulimin në kurriz të këtij sistemi. Kushdo që i militon idesë për një lloj antireforme, qoftë kjo dhe nga segmente të caktuara të politikës, do të thotë rrënim i institucioneve shëndetësore, indisiplinim i tyre, qytetarë që nuk dinë ku e kanë vendin, po dhe mjekë të cilët komprometojnë raportin e tyre në një marrëdhënie informale”, ka pohuar ministri.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›