PS, pesë tryeza debati për paktin me opozitën
Përgjigja refuzuese që morën nga mazhoranca për paktin e tyre dhjetë-pikësh, nuk e ka penguar PS-në që ta shndërrojë atë në një temë debati të gjerë publik. Grupi parlamentar i drejtuar dje nga kryetari Rama, ka vendosur që për këtë qëllim të ngrejë pesë grupe pune, të cilat do të organizojnë pesë tryeza për të debatuar thuajse në mënyrë specifike sipas fushës të gjitha pikat që përmban pakti. Ndërkohë që gjatë mbledhjes së djeshme kreu socialist nuk ka kursyer as kritikat për deputetë të veçantë lidhur me procesin e zgjedhjeve në parti, duke u kërkuar atyre që të mos bëhen palë me kandidatë të ndryshëm.
Pakti
Ashtu siç edhe përmendi Rama gjatë fjalës së tij, grupi parlamentar socialist ka diskutuar dhe ka vendosur që të hapë një debat të gjerë publik për të diskutuar mbi të gjitha propozimet që selia rozë ka përfshirë në paktin e saj prej dhjetë pikash. Kështu, burime nga grupi kanë bërë të ditur se të 10 pikat do të diskutohen sipas përafërsisë së tyre të temave që trajtojnë. Ndaj është vendosur që për to të organizohen 5 grupe pune, që do të organizojnë respektivisht pesë tryeza të posaçme, ku do të marrin pjesë përveç përfaqësuesve politikë të fushave respektive edhe specialistë apo ekspertë të pavarur. Për këtë nismë të re, grupi parlamentar ka përcaktuar edhe deputetët që do të merren me organizimin e këtyre tryezave. Për ligjet me 3/5-at, grupi ka ngarkuar sekretarin për çështjet ligjore që të përcaktojë formatin, por edhe të organizojë debatin, si dhe të thërrasë ekspertët e paangazhuar në politikë, që do të ftohen për të diskutuar për këtë çështje. Deputetja Valentina Leskaj është ngarkuar që të organizojë dhe të drejtojë tryezën në lidhje me pikën e fundit të paktit, atë që ka të bëjë me mediat dhe Këshillin Kombëtar të Radiotelevizioneve. Isaraj është ngarkuar që të organizojë tryezën për pikat e paktit që trajtojnë kufizimin e imunitetit dhe reformën kushtetuese. Ditmir Bushati në bashkëpunim edhe me Namik Doklen, do të merren me organizimin e debatit për reformën parlamentare, pasi ata janë dhe dy hartuesit e ndryshimeve të propozuara tashmë prej gati dy javësh në Kuvend. Tryeza e pestë do të jetë ajo për pikat që trajtojnë kryesisht emërimet në Bankën e Shqipërisë dhe Kontrollin e Lartë të Shtetit, për të cilat grupi ka mandatuar deputetin Erion Braçe.
Zgjedhjet
Në mbledhjen e grupit është diskutuar edhe çështja e zgjedhjeve në parti që kanë nisur të zhvillohen prej gati një muaji. Burime nga mbledhja kanë bërë të ditur se Rama ka qenë i ashpër në këtë drejtim, pasi nuk ka nguruar të kritikojë drejtpërdrejtë deputetë të veçantë për ecurinë jo të mirë të procesit në një sërë zonash, siç janë ato në rrethin e Kukësit Vlorës, Delvinës, Peqinit etj. Një shqetësim që ka ngritur Rama në këtë pikë ka qenë ai i pakënaqësive që ka shkaktuar procesi i përzgjedhjes së drejtuesve të rinj të organizatave. Për këtë çështje, Rama ka kërkuar nga deputetët që të shmangin influencën e tyre në këto zgjedhje dhe të mos bëhen palë me kandidatë të veçantë. Siç mësohet, Rama ka kërkuar prej deputetëve të vet që të jenë të pranishëm në procesin e zgjedhjeve në këto zona, por për ta bërë procesin sa më serioz dhe jo për të mbështetur një kandidat të veçantë. Ai ka evidentuar se deputetët duhet të mbikëqyrin procesin, por në fund duhet të lënë të lirë socialistët të zgjedhin më të mirin.