E Diel, 1 Nëntor 2026

Biznesi gjerman, i prezantuar me 50 kompani në Shqipëri

24-01-2012 / Gazeta 55

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli takon Presidentit të shoqatës ekonomike gjermano-shqiptare DAW, Hans-Jurgen Muller

Rritja e nivelit të bashkëpunimit ekonomik mes Shqipërisë dhe Gjermanisë ishte temë qendrore e bisedës mes Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli dhe Presidentit të shoqatës ekonomike gjermano-shqiptare DAË, njëkohësisht konsull nderi në Hamburg, Hans-Jurgen Muller dhe drejtorit ekzekutiv të shoqatës, Michael Alber.
Qeveria Gjermane është donatori më i rëndësishëm bilateral për Shqipërinë në këto 20 vjet, me një vlerë angazhimi prej 347 milion euro për periudhën 2000-2010. Ndërkohë që përsa i përket shkallës së realizimit të projekteve të premtuara është padiskutim donatori më i rëndësishëm. Biznesi gjerman është i prezantuar me rreth 50 kompani në Shqipëri, kryesisht të mesme dhe të vogla, dhe Kryetarja e Kuvendit theksoi se është koha për një rritje të investimeve të mëdha gjermane në Shqipëri.
Në takim u diskutua për mundësitë reale dhe potencialin që ofron Shqipëria për investime në energjetikë, investime rurale,  tekstile, agrobiznes, industri të lehtë dhe turizëm. Gjithashtu u diskutua mbi shfrytëzimin sa më të mirë të lidhjeve rrugore dhe detare të Shqipërisë me vendet e rajonit dhe të Europës.
Muller e njohu Kryetaren e  Kuvendit me hapat konkretë për nxitjen e investitorëve gjermanë, siç është organizimi i Konferencës ekonomike Shqipëri-Gjermani, në Qershor, ku pritet të marrin pjesë një numër shumë i madh investitorësh gjermanë.
Duke vlerësuar shumë këtë iniciativë, Kryetarja e Kuvendit tha se është shumë e rëndësishme që këta investitorë të vijnë e të shohin nga afër Shqipërinë, klimën e favorshme që ajo ka krijuar për biznesin dhe sipërmarrësit.
Kryetarja e Kuvendit nënvizoi se parlamenti ka pasur si prioritet miratimin e ligjeve shumë të rëndësishme, që përbëjnë një model shumë të suksesshëm ekonomik, gjë që duket qartë në rritjen ekonomike të vendit, pavarësisht se i rrethuar nga vende që po kalojnë një krizë të thellë ekonomike. “Prezenca e biznesit gjerman në Shqipëri është prezencë e këtij biznesi në Ballkan”, tha Kryetarja e Kuvendit, duke shtuar se “prezantimi i   projekteve të investimeve rajonale është shumë i rëndësishëm për të përfituar investitorë të mëdhenj dhe të rëndësishëm”.
Kryetarja e Kuvendit, në vizitën e afërt zyrtare që do të zhvillojë në Gjermani është ftuar në takimin vjetor të Bordit të Federatës Gjermane të biznesit të madh tregtar, tregtisë së jashtme dhe shërbimeve, me përfaqësuesit e kompanive më në zë e më të fuqishme të Gjermanisë. Muller shprehu bindjen që ky takim do të jetë një mundësi e jashtëzakonshme, që investitorët gjermanë të njihen me modelin ekonomik të Shqipërisë, me rritjen e saj ekonomike, me potencialet e mëdha që ofron për investime, duke nxitur kështu rritjen e prezencës së tyre në Shqipëri.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›