Sequi: Hetimi të pavarur për 21 janarin. Mbështesim Prokurorinë

Ambasadori i BE-së në Tiranë Ettore Sequi ka kërkuar një hetim të pavarur, gjithëpërfshirës dhe pa ndikime politike të ngjarjeve të 21 janarit. Në një prononcim për mediat në lidhje me hetimet e prokurorisë për këtë ngjarje, ambasadori Sequi ka theksuar se shqiptarët presin që të vendoset drejtësia.
"Në përgjithësi nuk bëjmë komente për hetimet. Kemi ndjekur me vëmendje konferencën e kryeprokures, ambasadorit e SHBA, zëdhënëses së kryeministrit dhe deklaratën e opozitë për ngjarjen e 21 janarit. Dhe natyrisht po ndjekim nga afër zhvillimin e ngjarjeve. “ tha Sequi i cili përsëriti qëndrimin e mbajtur në deklaratën e përbashkët të tre ambasadorëve të publikuar pak ditë më parë në lidhje me ngjarjet e 21 janarit.
“Në deklaratën e përbashkët kemi thënë se është e nevojshme të zbardhen plotësisht ngjarjet e 21 janarit. Është e rëndësishme që ky hetim të jetë hetim gjithpërfshirës, i pavarur e pa ndërhyrje politike. Është tepër e rëndësishme të hidhet dritë mbi ngjarjet e 21 janarit. Shqiptarët presin që të vendoset drejtësia” ka shtuar më tej Sequi.
Ambasadori i BE-së, Etore Sekui ka ritheksuar sot mbështetjen për Prokurorinë e Përgjithshme, duke shprehur njëherësh besimin se gjyqësori do ta bëjë më së miri punëne vet për zbardhjen dhe vendosjen e drejtësisë për 21 janarin.
“Në deklaratë po ashtu kemi thënë që presim që hetim të vazhdojë përmes zyrës së prokurorisë së përgjithshme, dhe mbështesim dhe kemi besim të plotë tek ky institucion. Kemi besim që gjyqësori do të japë vendimin e tij. Dua të theksoj diçka që është shumë e rëndësishme. Sundimin e ligjit. i cili nuk është vetëm një element që do të arrijë të ecet drejt BE por është ajo çka besoj presin shqiptarët. dhe takimi i sotmë ka të bëjë me sigurimin e sundimit të ligjit dhe shtetit të së drejtës” ka shtuar më tej Sequi
Një ditë më parë prokuria e përgjithshme kërkoi arrestimin e Ndrea Prendi, me detyrë komandant i Gardës së Republikës nën akuzën e vrasjes së një prej protestuesve të 21 janarit, Margarit Kume, me detyrë shofer i komandantit të Gardës së Republikës dhe Armando Kasaj, me detyrë specialist i IT-së në Këshillin e Ministrave për fshehje të provave të ngjarjes.