Në shënjestër të prokurorisë punonjësit e korruptuar në sistemin e tatimeve dhe të doganave
Me një zinxhir strukturash dhe përmes bashkëpunimit me struktura homologe në Ballkan, organet e rendit në Shqipëri po përpiqen t'i kundërvihen korrupsionit me fondet publike, evazionit fiskal apo kompanive fiktive
Shqipëria sa vjen e po bëhet një vend i vështirë për evazionin fiskal dhe ekonominë informale. Një zinxhir strukturash në mbrojtje të ligjit dhe bashkëpunimi i tyre strukturat homologe të Ballkanit Perëndimor po sjell uljen e fenomenit. Prokurori Arben Kraja, kreu i Taskë Forcës në Prokurorinë e Përgjithshme në Tiranë, thotë për “Dojçe Vele”, se në shënjestër të organit qendror të akuzës mbeten punonjësit e korruptuar në sistemin e tatimeve dhe doganave. Për një luftë më efikase kundër korrupsionit, burimit të evazionit fiskal dhe ekonomisë informale, që nga fillimi i këtij viti në Prokurorinë e Përgjithshme të Republikës së Shqipërisë funksionon struktura Task Forcë. Ajo koordinon punën me strukturat homologe në kryeqytet dhe 6 rrethe kryesore të Shqipërisë: Durrës, Shkodër, Fier, Vlorë, Korçë dhe Gjirokastër. Prokurori Arben Kraja, kryetar i saj, thotë për “Dojçe Velen”, se fillimi është i mbarë: “Synimi ynë është të luftojmë korrupsionin. Ka një rritje të hetimit të rasteve të korrupsionit dhe rritje të besimi të publikut ndaj punës sonë. Natyrisht, pjesën më të madhe të denoncimeve për evazion fiskal e bën Policia e Shtetit, si struktura e specializuar, por shtetasit vijnë në radhë të dytë”, thotë ai.
Korrupsion me fondet publike
Targeti kryesor në veprimtarinë e Taskë Forcës është sektori publik dhe kryesisht tenderët publikë, ku mundësia e të korruptuarit është më e madhe. “Vëmendja jonë është e përqendruar më shumë në sektorin publik. Edhe korrupsioni në sektorin publik është vepër penale, por më pak i prekshëm nga ai në sektorin privat. Ideja mbizotëruese është që korrupsioni bëhet me fonde publike. Koncepti i punës në ekip, bashkëpunimi mes gjithë strukturave që merren me luftën kundër krimit ekonomik dhe financiar ka dhënë rezultate pozitive.
Edhe në radhët e mjekëve nuk mungojnë ata që marrin ryshfet për të kryer detyrën
Para drejtësisë nuk tentohet të çohen vetëm ata që quhen “peshqit e vegjël”. Bëhet fjalë edhe për nivele të larta drejtuese, duke filluar nga drejtorë drejtorie dhe përfunduar në rang zëvendësministrash, që kanë marrë vendim fajësie nga gjykatat për vepra penale, kryesisht të korrupsionit”, - sqaron prokurori Arben Kraja. Në sukseset e para të Taskë Forcës në Prokurorinë e Përgjithshme ka luajtur rolin e vet edhe bashkëpunimi me strukturat homologe të Ballkanit Perëndimor dhe ato të BE-së. Shembulli më i freskët është nënshkrimi kohët e fundit në Romë, i Memorandumit të Bashkëpunimit mes Prokurorëve të Përgjithshëm të Rajonit. “Janë krijuar disa rrjete rajonale prokurorësh që përfshijnë Ballkanin Perëndimor për të shkëmbyer përvoja dhe informacionin e duhur, në mënyrë sa më informale, në kuptimin e shmangies së burokracive”, - thotë Kraja.
Rezultate në një terren të vështirë
Sinergjia në luftën kundër evazionit fiskal, rezultatet pozitive në muajt e parë të këtij viti në nivel kombëtar ndeshen me terrenin e vështirë të anonimitetit të subjekteve dhe të kompanive që bëjnë evazion fiskal. Fran Rica drejton Departamentin e Luftës kundër Krimit Ekonomiko-Financiar në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Ai thotë se strukturat e policisë kanë referuar në prokurori gjatë vitit të kaluar 40 raste të evazionit fiskal. Por krimi ekonomiko-financiar gjen forma për të mbijetuar. Forma më e përhapur mbetet krijimi i kompanive fiktive. “Krijohen kompani fiktive, që me dokumente të falsifikuara realizojnë aktivitet tregtar, por pastaj zhduken, pasi lënë një evazion fiskal të përmasave të mëdha në tatime apo dogana, kryesisht nga kontrabanda”, - sqaron Rica. Kjo situatë vështirëson hetimet. “Përderisa ekonomia informale vazhdon të ekzistojë, kjo vështirëson hetimet, pasi nuk gjejmë gjurmë dhe fakte të veprimtarisë”, - shton prokurori Kraja.
Problem i madh kompanitë fiktive
Për nivelin aktual të ekonomisë informale nuk ka të dhëna zyrtare. Nini Mano, anëtare e shoqatës së gazetarëve ekonomikë, rreshton disa arsye pse në Shqipëri vazhdojnë të ekzistojnë evazioni fiskal dhe ekonomia informale: “Janë fenomene të tranzicionit të gjatë nëpër të cilin kaloi Shqipëria dhe të një shteti të dobët. Por i rëndësishëm është trendi i reduktimit të tyre”, - thotë ajo. Lufta pa kompromis kundër korrupsionit e shoqëruar me zbatimin e ligjeve mbeten armët më të forta të Taskë Forcës dhe të Policisë së Shtetit për të reduktuar në minimum evazionin fiskal dhe ekonominë informale.
Amnistia fiskale, Papajani: Skema si ajo e Moldavisë
Në kohën kur ka nisur të diskutohet gjerësisht nisma për një amnisti fiskale si nga radhët e biznesit, ashtu edhe nga qeveria, drejtori i tatimeve, Artur Papajni, është i mendimit se me një projekt të tillë duhet bërë kujdes, në mënyrë që të arrihet qëllimi. Sipas tij, amnistia duhet të përfshijë çdo sektor dhe të jetë e mirë studiuar, në mënyrë që biznesi të simulohet. Amnisti gjithëpërfshirëse do të thotë që, çdo biznes të zerohet nga detyrimet e prapambetura në vite dhe të stimulohet për të deklaruar pasuritë e fshehura. Deklarimi i pasurive të fshehta do të thotë që biznesi të formatizohet dhe ky fakt do ta ndihmojë atë në marrëdhëniet me bankat, pasi në këtë mënyrë do të ketë më shumë kolateral për të marrë kredi. Skema që mendohet të aplikohet është ajo e Moldavisë. Ky shtet zbatoi dy vite më parë amnisti fiskale për biznesin. Por veç faljes së kamatave, u vendos një taksë prej 5 përqindësh si penalizim që biznesi duhet të paguante për vlerën e aseteve që do të legalizonte.
***
Por edhe bizneset janë të gatshme të bashkëpunojnë në këtë drejtim. Konfindustria, me cilësinë e nismëtarit të kryerjes së amnistisë fiskale, shpreh domosdoshmërinë e përfshirjes në proces në mënyrë të njëkohshme të kategorisë së “biznesit” dhe “qytetarëve” pa përjashtim. Duke parë mënyrën e krijimit të të ardhurave dhe funksionimit të sistemit ekonomik shqiptar në gjithë periudhën kohore 20-vjeçare, mënjanimi nga amnistia fiskale e “qytetarëve” do të thotë praktikisht dështim të procesit ende pa filluar. Qëllimi i ndërmarrjes së nismës ishte pikërisht hapja e një kanali të ri oksigjeni financiar në ekonominë shqiptare pikërisht në kohën kur pasojat e krizës globale tashmë na ka prekur ndjeshëm dhe qartë. “Janë pikërisht të ardhurat në zotërim në radhë të parë nga qytetarët shqiptarë brenda dhe jashtë vendit dhe që do të mund të futeshin në sistemin tonë bankar dhe ekonomik, që ishin pasur parasysh nga Konfindustria në marrjen e vendimit për nismën e amnistisë fiskale. Duhet të kuptojmë se qytetarët shqiptarë janë pikërisht kategoria që për vite me radhë nuk iu është dhënë mundësia e deklarimit ligjor të të ardhurave të tyre, sikurse ndodh në të gjitha vendet demokratike të rajonit dhe BE, ndërkohë që bizneset sidoqoftë, e kanë pasur me kohë një mundësi të tillë. Duke shtuar këtu edhe faktin se qëllimi përfundimtar i kryerjes së amnistisë fiskale të vërtetë është hyrja e sa më shumë të ardhurave në sistem do të ishte krejtësisht e papranueshme përjashtimi i kategorisë së shtresës më të gjerë të zotëruesve të kapitaleve “qytetarëve”, që mund të formalizohen”, bën të ditur Konfundustria.