Rama: I thamë jo BB dhe FMN kur kërkuan uljen e pensioneve dhe rritjen e çmimit të energjisë

TIRANË, 5 shkurt /ATSH/ Kryeministri Edi Rama ishte sot i pranishëm në konferencën ndërkombëtare për reformën e sistemit të pensioneve në Shqipërisë. Kreu i qeverisë u shpreh se 10 vite më parë është synuar që të bëhej një reformë e mirëfilltë në sistemin e pensioneve dhe jo arnime siç kishte ndodhur në të shkuarën.
“Sot jemi mbledhur këtu për të diskutuar mes aktorëve institucionalë, ekspertëve ndërkombëtarë, këshilltarëve prestigjiozë që kemi privilegjin të kemi, se çfarë duhet të bëjmë më tej me sistemin e pensioneve, për të bërë një bilanc të një rruge të nisur 10 vjet më parë dhe pastaj për t’u projektuar në të ardhmen duke pasur si ambicie majën e 2030-s, ku Shqipëria duhet, dhe unë besoj, do të jetë anëtare e BE-së. Dhjetë vite më parë e kemi nisur këtë rrugë duke synuar që të bëjmë një reformë të mirëfilltë të sistemit të pensioneve dhe jo të arnojmë përsëri, siç ka ndodhur në të shkuarën, atë sistem, duke qenë të vetëdijshëm se pensionet janë kocka më e vështirë për t’u gëlltitur për një qeveri dhe shtet kur demografia në Evropë nuk është në favor të ecurisë normale të këtij sistemi,” u shpreh Rama.
Kreu i qeverisë theksoi se “ka qenë një rrugë relativisht e gjatë, por nga e cila kemi mësuar jo pak”.
“Sot ne jemi një vend tjetër, kemi një prodhim të përgjithshëm kombëtar dy herë e gjysmë më të lartë se 10 vite më parë. Jemi një vend që eksporton pothuajse 4-fish më shumë se 10 vite më parë. Por, duke mos qenë më ata të vegjlit dhe të dobëtit që prisnin vetëm ndihmën e të tjerëve, por një vend tanimë i pozicionuar ndryshe dhe i konsideruar edhe nga të tjerët si një vend me të ardhura mesatare, gjë që na ka shkëputur me shumë mekanizma të ndihmës së huaj, jemi të sfiduar që t’i përgjigjemi pritshmërisë së njerëzve, e cila vetëm rritet në kushtet kur të gjithë e shohin se ka edhe më mirë dhe nuk ngushëllohen më se “jemi mirë, se ka edhe më keq, ka edhe më keq”, u shpreh Rama.
Rama deklaroi se Banka Botërore i ka kërkuar qeverisë shqiptare, në mandatin e parë, që të ulen pensionet dhe të rritet çmimi i energjisë. Rama u shpreh se qeveria shqiptare i ka thënë “Jo” këtij skenari.
“Më kujtohet si e kemi nisur qeverisjen, në takimin e parë me FMN, që pati po atë lloj qasje edhe kur u takuam me Bankën Botërore: “Rrisni çmimin e energjisë, ulni pensionet dhe filloni paguani borxhet që u keni të tretëve”. Ishim një vend që kishim një borxh prej 1,2 miliardë eurosh vetëm në kompaninë e shpërndarjes së energjisë, si rezultat i gjysmës që nuk paguante dhe i gjysmës tjetër që paguante edhe për gjysmën që nuk paguante. Vetëm borxhet për kontraktimet e ndërtimeve në infrastrukturë kalonin shumën 400 milionë euro. Përgjigja jonë ishte: “Jo, nuk do të rrisim çmimin energjisë, por do të vijmë të vëmë rregull që të gjithë të paguajnë energjinë, kemi krijuar premisat e një skeme në prag kolapsi””, tha Rama.
/a.f/r.e/