Rama: Zbusim hendekun mes pensioneve para dhe pas vitit 2014

TIRANË, 5 shkurt/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se reforma e pensioneve duhet të zvogëlojë hendekun e krijuar nga skema e pensioneve para vitit 2014, vit kur u ndërmor nga qeverisja socialiste edhe reforma e parë e pensioneve.
Gjatë punimeve të konferencës ndërkombëtare për reformën në sistemin e pensioneve në Shqipëri, Rama e konsideroi reformën e pensioneve të viti 2014 një histori suksesi.
“Kjo histori suksesi na ka kanë dhënë mundësinë që sot të kemi dy pasqyra përballë, të atyre që kanë dalë në pension pas viti 2014 dhe pasqyrën e pensioneve të atyre që kanë dalë para viti 2014. Janë dy pasqyra që mund të shërbejnë për shumë leksione dhe mësime në shkollë lidhur me si dhe sa mund ta dëmtojë një politikë dritëshkurtër një shtresë të tërë të popullit,” tha Rama.
Kryeministri solli në vëmendje se pensionistët sot, të cilët kanë pasur të njëjtat vite pune, kanë paguar të njëjtat sigurime shoqërore, por kanë dalë në pension para dhe pas reformës së vitit 2014, marrin dy pensione të ndryshme.
“Sot mjekë, mësues, ekonomistë, njerëz nga sistemi i drejtësisë që kanë dalë në pension pas vitit 2014 marrim pensione mbi 500 euro. Kolegët e tyre për të njëjtat vite pune që kanë dalë në pensione para vitit 2014 marrin pensione shumë më të ulëta,” tha Rama.
Sipas tij, “në aspektin moral kjo është e papranueshme dhe në aspektin ekonomik dhe financiar është e pashmangshme”.
Rama theksoi se “një nga pikat që duhet të adresojmë është si të zbusim këtë konflikt dhe zvogëlojmë këtë hendek”.
“Ndryshimi ka ndodhur, sepse me reformën e vitit 2014 ne vendosëm kontributet në funksion të pensioneve. Deri para vitit 2014 kontributet nuk ishin premisa për marrjen e pensionit dhe niveli i pensionit ishte me një tavan prej rreth 200 dollarë në atë kohë, me llogaritë e sotme 240 euro,” shtoi Rama.
Duke sqaruar më tej, Kryeministri bëri të ditur se “çfarëdo kontributesh që të kishte dhënë individi nuk merrte dot një pension më të lartë se kaq”.
“Pra ishte sistem asistence jo kontributiv, kjo ka shkaktuar të gjithë plagën e madhe që po mbyllet dalëngadalë, por sidoqoftë në gjithë këtë proces mbylljeje vazhdojmë të kemi një pjesë që vuajnë nga ajo plagë,” shtoi Rama.
/r.e/a.f/