Masakrimi i 42-vjeçares, dyshohet për një bashkëpunëtor
Gaqo Dumka, 84-vjeçari i arrestuar për vrasjen e Liljana Arapit, është marrë sërish në pyetje dhe ka hedhur poshtë faktin se ka qenë ai autori
Korçë Hetimi për krimin horror, policia e Korçës ngre dyshime për një bashkëpunëtor në vrasjen makabër. Një nga pistat kryesore të hetimit për barbarinë ndaj 42-vjeçares Liljana Arapi është ajo e një bashkëpunëtori në masakrimin e trupit të viktimës. Teksa autori i këtij krimi vazhdon të insistojë që nuk e ka kryer ai vrasjen, nuk zbulon se ku e ka zhdukur kokën e fatkeqes që vdiq e masakruar në gjumë. Ngjarja makabre ka vënë në punë prej disa ditësh grupin hetimor të ngritur për këtë ngjarje shokuese. Teksa është bërë i mundur identifikimi i shtetasit Gaqo Dumka 84-vjeçar, si i dyshuari kryesor i krimit, hetimi për të zbardhur të plotë një krim që ka tronditur shoqërinë shqiptare vazhdon.
I arrestuari
Ndërsa Dumka nuk pranon ta ketë vrarë ai 42-vjeçaren që e prezantonte në publik si mbesën e tij, vazhdon të pohojë të njëjtat gjëra që i ka thënë policisë nga momenti kur është prangosur. “Nuk e kam vrarë unë Liljanën. Unë e gjeta të vrarë dhe vetëm e hodha në plehrat. Nuk jam unë. Nuk di gjë për kokën, nuk e kam parë asnjëherë” kjo është me pak fjalë përmbledhja e asaj që ka deklaruar në polici 84-vjeçari. Megjithëse ai nuk pranon ta ketë kryer krimin faktet dhe provat e grumbulluara nga policia kundër tij janë të shumta. Burri tregohet mjaft kokëfortë, por shprehet se nuk ka dijeni për kokën e viktimës. Madje, ai ka pohuar se bashkëjetonte me të, por e dinte që ajo kishte marrëdhënie intime me meshkuj të tjerë shumë më të rinj se ai.
Dyshimi
Në vazhdimësinë e marrjes në pyetje 84-vjeçari vazhdon t’i qëndrojë besnik variantit të deklaratave të para. Nisur nga këto, por dhe mosha e të arrestuarit, si dhe pesha trupore e tij, por dhe gjendja shëndetësore e të moshuarit, grupi hetimor nga ngritur dhe një tjetër pistë hetimi. Dyshimet janë për një bashkëpunëtor në këtë masakër ndaj një gruaje, që për më tepër ishte në gjumë në momentin kur u ther me thikë dhe më pas u copëtua me sëpatë. Grupi hetimor është duke punuar për të zbuluar skemën e krimit, ndërkohë që janë hedhur pikëpyetje të shumta lidhur me mënyrën sesi është organizuar ai. Tanimë hetimi është përqendruar në këtë pistë, që lidhet me një tjetër autorësi. Por nga ana tjetër koka e kufomës së përçudnuar në mënyrë barbare nuk është gjetur ende, megjithëse kërkimet për të vazhdojnë. Policia thotë se edhe gjatë të hënës është kërkuar për këtë pjesë të trupit të viktimës, ndërsa i është kthyer edhe njëherë kërkimit në vendin e grumbullimit të mbetjeve urbane aty ku u gjetën dhe pjesët e trupit pa gjymtyrë të Liljana Arapit.
Irena Vreto