Rama: Iki vetë nëse gjejnë një m2 pasuri më shumë nga sa kam deklaruar

TIRANË, 12 janar/ATSH/ Kryeministri Edi Rama sot në një deklaratë për mediet u shpreh se gjatë karrierës së tij politike është përballur me akuza të rënda, por pa asnjë çerek prove.
“Gati çerek shekulli akuza pa asnjë çerek prove, ku më kanë bërë si veten; politikan që marr pjesën nga firmat që hedh, duke futur duart në buxhetin e shtetit dhe në xhepat e sipërmarrësve që ndërtojnë kulla apo partneritete me qeverinë. Jo, kush më njeh e di që paraja s’ka qenë asnjëherë një tundim i madh për mua”, tha Rama.
“Jam rritur nga prindër, që u ndrittë shpirti aty ku janë, më kanë mësuar se leku është thjesht haku i punës së ndershme dhe nga një gjyshe besimtare, e cila më ka mësuar se njeriu nuk vjen në jetë për të bërë lekë, po për të mos vdekur pa bërë punët për të cilat Zoti e ka sjellë në jetë”.
Le ta gjejnë, të gjithë katranët që më ulin e më ngrenë përditë, nëpër foltore, ekrane e portale, në hanin e parlamentit apo në pijetoret televizive, si pasanik të korruptuar dhe politikan të pasuruar nga politika, një kokërr leku, një dëshmitar apo një metër katror të vetëm jashtë kufijve të deklarimit zyrtar të pasurisë; një fakt të vetëm që të provojë se unë nuk jam ky që jam, po jam ai që ata thonë. Pastaj kollaj fare, iki vetë unë, s’ka nevojë të flasin me vete rrugëve, “Rama ik, Rama ik”.
Nuk e kanë gjetur dhe s’kanë për ta gjetur dot, atë fakt fajësues në raportin tim me materien, qoftë para, qoftë tulla e llaç. Se nuk ka. Por nuk kam ç’u bëj fare, që edhe pse s’e kanë një fakt a provë të vetme, m’i hedhin mua në kurriz, jo vetëm të gjitha ç’kanë bërë vetë apo ç’do bënin vetë po të kishin pushtetin tim, po edhe ç’ka bërë e ç’nuk ka bërë kushdoqoftë që ka punuar me mua, nga afër apo nga larg, e që kanë hyrë në daç në shënjestrën e institucioneve të reja të drejtësisë, në daç në gojën e shthurur të prokurorëve e gjykatësve mediatikë apo në raste të caktuara edhe të të dyja palëve bashkë”, u shpreh Rama.
“Më kanë bërë përdorues droge. Jo, nuk jam përdorues droge ose më saktë, nuk kam përdorur ndonjëherë droga të paligjshme. Më kanë dalë e vazhdojnë të më teprojnë dy droga çudibërëse për mua: Arti, i pandashëm nga unë, qysh nga fëmijëria. Dhe lufta politike, e pandashme prej meje, qysh se e ndava mendjen t’ia kushtoja këtë pjesë të jetës sime, ndryshimit të Tiranës, e më pas të Shqipërisë.
Më kanë bërë kriminel. Jo, nuk kam kryer kurrë një krim dhe nuk i kam duart të ndotura, as me gjak, as me drogë, as me para të pista, e as me rrahje e kërcënime kundërshtarësh në politikë a në media.
Më kanë bërë bashkëpunëtor të krimit. Jo, bashkëpunëtorët i kam zgjedhur gjithnjë vetë, ndërsa mua askush nuk më ka zgjedhur dhe nuk më zgjedh dot si bashkëpunëtor. Po, ka ndodhur në të kaluarën që përfaqësues të Partisë Socialiste, në kuvend dhe në pushtetin vendor, të dalin të lidhur me vepra penale jashtë vendit në të kaluarën e tyre, dhe janë dëbuar nga politika, si rrjedhojë e ligjit të dekriminalizimit; një ligj që e kam votuar edhe unë me vullnet të lirë, pa më detyruar askush. Sepse mirë a keq, nuk ka njeri apo forcë në këtë botë, të më detyrojë dot mua të bëj një gjë që nuk dua ta bëj”, tha Rama.
Ka ndodhur edhe që bashkëpunëtorë të mitë, ministra, deputetë, kryetarë bashkie, deri zëvendës kryeministri, të jenë kapur nga rrjeta e SPAK-ut. Por, SPAK-u dhe e gjithë Reforma në Drejtësi janë në radhë të parë, frytet e një vizioni strategjik dhe vullneti të hekurt politik, që afërmendsh pa Partinë Socialiste dhe pa mua në krye të saj, as do të kishin ardhur fare në jetë.
Kurrë, kurrë, kurrë dot, nëse nuk do të isha unë i pari, qysh përpara se ne të vinim në qeveri, që e kisha ndarë mendjen t’i hyja atij deti në këmbë, bashkë me skuadrën udhëheqëse të Partisë Socialiste, asokohe në opozitë me një pushtet të mosozotshëm në çdo drejtim.
Dhe kjo nuk është historia sipas meje, sot që disa sukseseve të drejtësisë së re u kanë dalë baballarët jashtë shtetit, po një histori e nisur vite përpara fitores sonë në zgjedhjet politike të vitit 2013 dhe një histori e dokumentuar, në letra, propozime, proces-verbale, plane e programe të Partisë Socialiste.
Përrallën me amerikanë dhe europianë, që e sollën drejtësinë e re megjithë SPAK-un, me aeroplan ose vapor nga matanë oqeanit apo detit Adriatik, mund ta tregojë kush të dojë, kujt të dojë, sa herë të dojë. Po mua jo. Jo mua, sepse unë jam dëshmitari numër 1.
Më kanë bërë vjedhës e blerës votash dhe gati 800 mijë vota shqiptarësh që votojnë për mua dhe Partinë Socialiste, i kanë bërë vota të krimit.
Jo, krimi nuk vendos asgjë më në këtë Shqipëri që qeveriset nga Partia Socialiste. Në këtë Shqipëri vetëm populli e askush tjetër vendos, qoftë kush e udhëheq karvanin dhe qoftë kush i leh karvanit”, theksoi Rama.