Rama: Partia Demokratike, pengu historik i një katrani me bojë

TIRANË, 12 janar/ATSH/ Kryeministri Edi Rama tha sot se Partia Demokratike është pengu historik i një katrani me bojë.
Në një mesazh drejtuar qytetarëve lidhur me zhvillimet e fundit të aktualitetit, Rama pasi foli për akuzën e bërë nga deputeti Gazmend Bardhi për vëllain e tij, Ols Rama, theksoi se “tani, kjo nuk është goditja e parë e këtij lloji për mua – s’ka se si të jetë as e fundit – nga një parti e ashtuquajtur demokratike, që është pengu historik i një katrani me bojë, i cili e ka kapur për fyti atë parti, qysh në lindje të saj dhe e ka përdorur si një zorrë private, për të jashtëderdhur në publik të gjitha nevojat e një lufte politike vulgare, pa asnjë respekt për të vërtetën, për njeriun, për Shqipërinë dhe gjuhën shqipe”.
Rama u shpreh se “unë nuk ve baste. Por jam gati të ve bast se nuk ka një akuzë të mundshme që të mos Rama më ketë ardhur nga ajo zorrë në tërë këto vite. Ja një bilanc shumë i shkurtër dhe ju vendoseni vetë nëse ka mbetur gjë akoma pa më akuzuar. Më kanë bërë përdhosës të familjes time, duke më akuzuar se në gjyqin e divorcit, unë kam akuzuar gruan time se djalin tim e kishte me babain tim. Jo, divorci im, qysh në fillim të viteve ‘90 s’ka pasur asnjë konflikt dhe asnjë pretendim të ndërsjellë. Përkundrazi, ka qenë tërësisht paqësor”.
Ndërsa po, vijoi Rama, siç është provuar më pas, katrani i madh ka fabrikuar një dokument gjyqi dhe e ka publikuar asokohe, për ta mbështetur me një provë të rreme atë akuzë, që qoftë edhe thjesht për ta imagjinuar, duhet të jesh egërsirë, jo njeri; lëre pastaj të jesh udhëheqës i popullit.
“Më kanë bërë homoseksual, biseksual, transeksual. Edhe mund të kisha qëlluar një nga të treja këto ose dhe të treja bashkë. Po jo, Zoti më ka përcaktuar si heteroseksual dhe nuk kam pasur kurrë kuriozitet ta pyes si e bën Ai përzgjedhjen për prirjen seksuale të njerëzve! Më kanë bërë dhunues grash, madje dhunues të ndjesë pastë nënës time. E shkreta nëna ime, Aneta, u sulmua nga foltorja e parlamentit, deri nga foltorja e parlamentit, ku katrani me bojë e akuzoi se po cenonte interesin publik, duke mos më denoncuar, ajo mua, si dhunues të sajin dhe duke i lënë kësisoj shqiptarët, të votonin qorrazi për një kriminel që dhunon edhe gra”, theksoi Rama.
Kryeministri Rama u shpreh se “nëna ime e ndjerë, u ndje aq e lënduar sa e çoi edhe në gjyq, katranin e madh. Po e dini çfarë ndodhi? Ai çoi avokatët për të bërë paqe, se “kështu e ka politika dhe se ai paskesh madje shumë respekt për të si mjeke”. Dhe kur gruaja krenare, e dhunuar në dinjitetin e saj, nuk pranoi të tërhiqte padinë, doli edhe një gjykatëse katran, e cila me një vendim poshtërues, i vuri kapakun atij maskarallëku. “I padituri ka ushtruar lirinë e tij politike!””.
“Më kanë bërë skizofren me kartelë mjekësore. E kanë fabrikuar dhe publikuar edhe kartelën, si trakt të luftës pa din e as iman kundër meje, që vazhdon prej kaq e kaq vitesh. Jo Jo, nuk kam pasur lavdi Zotit, asnjëherë probleme të shëndetit mendor. Por sigurisht që nuk ka pasur se si të mos akuzohesha edhe për këtë, nga një katran i madh, me diplomë mjeku, që u hyn në hak deri dhe të sëmurëve më fatkeqë e familjarëve të tyre, duke i përdorur si kategori negative, për llogari të luftës së tij përçudnuese politike”, tha Rama.
/k.s//a.f/