E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Jam i penduar që ia hyra kësaj pune

12-06-2013 / Gazeta 55

Edi Rama po soset në takime që s’kanë lidhje me bashkëbisedimin dhe në trukime që s’kanë lidhje me mitingjet elektorale. Ai ndjen se po e humbet edhe autobusin e fitores së 23 qershorit, por po rrezikon edhe plevicën e PS-së, për shkak të afrimit të frikshëm të Ilir Metës. Gara përpara dhe gara prapa janë një humbje e paralajmëruar për Edi Ramën, prandaj e vetmja garanci e ditës së sotme i ka mbetur Pendesa

Gara elektorale është zhvendosur e gjitha në opozitë. Po luftohet për vendin e dytë. Rikthimi i LSI-së në opozitë, në fakt, riktheu opozitën në shina politike me votimin edhe të tre ligjeve. Ndonëse kjo forcoi aq shumë kreun e Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta, të cilit iu dha falas shansi  të deklarojë se në parlamentin e ardhshëm, kjo parti, do të ketë 26 deputetë duke forcuar edhe më përçarjen e së majtës për pretendentin për kryeministër të opozitës. Kuptohet vetiu se Edi Rama po parakalohet më shpejtësi në fushatën e opozitës sepse takimet e stisura në “kënde fjale” po përfundojnë në predikime autoreferenciale për shtetin pa shtet dhe ardhja e ditës së gjykimit. Janë fjalë e premtime që nuk japin zgjidhje të arsyeshme.  Në fakt, ardhja e ditës së gjykimit të 23 qershorit po përjetohet keq nga kreu i PS, Edi Rama po pendohet përditë për mëkatet dhe fajet në ministri, bashki e parti, pasi sjellja e tij me njerëzit (potencialisht votues) ka lënë për të dëshiruar.
Për shembull, dje në kodër Kamëz, Edi Rama deklaroi se pavarësisht të gjithave, pas 11 vitesh në krye të bashkisë Tiranë, nuk i ka quajtur veriorët “shpellarë” dhe se la një kryeqytet evropian. Por mëkatet e Edi Ramës në Tiranë me bashkëfajtorin Koço Kokëdhima nuk janë asgjë në krahasim me fajet në opozitë për çështjen e integrimit. Pendesa e ardhur në momentet e fundit për meritë të Ilir Metës ka krijuar një konfuzion mendimesh aq sa në rrethin e ngushtë shprehet “ç’mu desh mua që i hyra kësaj pune”. Padyshim Edi Rama është i përcaktuar nga fati të përballet me fajet e tij dhe pendesa publike veçse mund të lehtësojë ditën e gjykimit të 23 qershorit, ku përgjegjësia pas rezultatit zgjedhor do ta vejë për shpatulla pas murit të lotëve. Sido që të jetë pendesa publike e Edi Ramës para 23 qershorit, ajo pas saj, do të jetë edhe më e bujshme. E majta shqiptar ka një defekt ideologjik në thelb, pasi nuk është reformuar asnjëherë në koncepte. Enverizmi i Edi Ramës në shëndetësi falas për të gjithë, heqja e kontributeve, kontrolli punëtor-fshatar për mësuesit, taksa progresive për kapitalin janë ca shenja që paralajmërojnë një sëmundje të vjetër propagandistike për të marrë pushtetin dhe më pas kalërimi i pushtetit për motive të dobëta personale. Partia Socialiste e ka demonstruar këtë në qeverisje, po ashtu Edi Rama në qeverisjen e Tiranës, dhe nuk duhet shumë për të kuptuar se një edhe një bëjnë dy.   

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›