Rama: Janë goditur 31 grupe, Berisha: 500 grupe
Kryeprokurorja Ina Rama ka paraqitur sot në Kuvend raportin vjetor të vitit 2007 për punën e prokurorisë.
Sipas saj goditja e grupeve kriminale ka qenë prioritet i punës së prokurorisë gjatë vitit 2007. “Janë goditur 31 grupe kriminale dhe janë dënuar 25 anëtarë të këtyre grupeve kriminale, ndërkohë që janë në hetim 22 grupe me 69 të pandehur” – tha Rama.
Por për deputetin e PS-së Bashkim Fino, 31 grupe kriminale janë shumë larg nga ato që ka deklaruar kryeministri i vendit, Sali Berisha. “Dëgjojmë sot se janë goditur 31 grupe kriminale ndërkohë që kryeministri ka folur për 500 grupe kriminale, dhe vetëm tani kohët e fundit e ka ulur në 200” – tha Fino.
Sipas Finos edhe largimi i ish-kryeprokurorit të mëparshëm ka qenë jo i matur dhe tendencioz. “Për dy vjet me radhë jemi marrë me ish kryeprokurorin se nuk kishte arrestuar 200 kriminelë dhe se nuk kishte kthyer në burg, të burgosurit. Këto ishin arsyet pse u shkarkua kryeprokurori i përgjithshëm ndërkohë që sot dëgjojmë se asnjë nga këto akuza nuk ka patur baza. Shqipëria edhe sot nuk ka bazën ligjore për të ekstraduar jashtë shtetit shtetasit e vet” – tha Fino.
Raporti i Ramës është pasuar edhe me pyetje nga deputetët. Kështu deputeti i PD-së Edi Paloka ka kërkuar përgjigje lidhur me thirrjen në prokurori që i është bërë kryetares së KKRRT-së, Mesila Doda. Sipas tij ajo është thirrur në prokurori pasi nuk ka deklaruar pasurinë njëri prej anëtarëve të KKRRT-së. “Ka ardhur një ankesë në komisionin e medias për këtë çështje pasi kjo quhet hakmarrje ndaj KKRRT-së. Lidhur me këtë unë doja të dija qëndrimin tuaj si kryeprokurore?” – tha Paloka.
Kryeprokurorja Rama kësaj pyetje i është përgjigjur se: “Thirrja e kryetares së KKRRT-së në Prokurori nuk është tendencioze pasi do kishim shkelur ligjin. Ajo është thirrur vetëm për të dëshmuar nëse anëtari i komisionit që nuk kishte deklaruar pasurinë ishte vënë në dijeni lidhur me gjobën që kishte marrë. Ky ka qenë motivi i thirrjes në Prokurori i zonjës Doda dhe nuk është aspak shkelje ligji”.
Ndërkohë një pyetje tjetër e bërë nga një deputet i PS-së ka qenë lidhur me deklaratën e bërë nga presidenti Bamir Topi, për pasuritë e zyrtarëve shqiptarë të depozituara jashtë vendit. Rama është përgjigjur se nuk mund të marrë përsipër të komentojë deklaratat e presidentit por tha ajo: “nëse ne do të kemi një sinjalizim apo një provë se zyrtarë të caktuar kanë pasuri jashtë shtetit të padeklaruara do të nisim procedimin penal”.
Gjithashtu ai kërkoi edhe një koment nga kryeprokurorja lidhur me dosjet e ish-zyrtarëve të lartë të këtij vendi. “Çfarë do të bëhet me ta”. “Dosjet janë të gjitha njësoj, dhe do të veprohet si për të gjithë shtetasit e këtij vendi” – u përgjigj Rama.
Raporti
Sa i përket raportit për vitin 2007, Rama dha të gjitha të dhënat lidhur me ecurinë e luftës ndaj prostitucionit, krimit të organizuar, korrupsionit etj.
Sipas saj për trafikimin e paligjshëm dhe për ushtrim prostitucioni janë ndjekur 379 procedime me 449 të pandehur me një rritje 18 % të procedimeve.
Sipas Ramës gjatë vitit 2007 vihet re tendencë në ulje e prostitucionit jashtë vendit dhe rritje e këtij fenomeni brenda vendit.
Në vitin 2008 janë regjistruar 12 procedime, 8 për femra dhe 5 për fëmijë.
Viktimat e prostitucionit shfrytëzohen jashtë vendit kështu që kërkohet një bashkëpunim me të huajt. Kallëzimi kërkon edhe fakte ndaj dhe është e shpjegueshme koha e gjatë që duhet për të kapur këtë veprimtari kriminale.
Në analizë të faktorëve kriminalë duhet të përmendim të ardhurat e konsiderueshme që fitohen nga kriminelët e prostitucionit dhe krimit të organizuar. Provat për prostitucionin ndodhen jashtë vendit të origjinës. Varfëria detyron vajzat të pranojnë gënjeshtrën për një jetë më të mirë. “Viktimat janë vajza të reja shpesh nën 18 vjeç me familje të varfra. Martesat e rreme e bëjnë shumë të vështirë kapjen e kësaj veprimtarie kriminale” – tha Rama.
Ndërkohë sa i përket doganave, kryeprokurorja Rama bëri të ditur se janë ndjekur 344 raste procedime për doganat dhe janë dërguar për gjykim 158 të pandehur.
Gjithashtu janë ngritur 1453 raste për falsifikim të dokumenteve, dhe kjo shifër vjen në ulje krahasuar me vitin paraardhës.
Rama bëri të ditur se gjatë vitit 2007 është ndërtuar njësia për hetimin e krimit ekonomik dhe korrupsionit. Janë arrestuar disa persona për korrupsion në funksione publike dhe shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera.
Megjithë arritjet evidentohen mangësi në administrimin e mallrave të sekuestruara. Agjencia e administrimit nuk funksionon normalisht dhe shpesh nuk ka raportime për gjendjen e mallrave të sekuestruara.
Sa i përket përgjimeve Rama tha se: “Kemi bërë progres në përdorimin e mjeteve të veçanta të përgjimit. Këto mjete bëhen më të domosdoshme për hetimin e korrupsionit, krimit ekonomik dhe krimeve të tjera të rënda. Është bërë një qendër për përgjimet e ndryshme nga ajo në SHISH, që do të bëjë përgjime parandaluese siç e parashikon ligji”.