E Diel, 1 Nëntor 2026

Fule: Keni vetëm një rrugë, zgjidhni krizën!

SHKRUAN: Dardan Malaj 16-02-2011 10:49

“Ne e dimë se cila është rruga që të zgjidhet kriza dhe kërkojmë mbështetjen tuaj në mënyrë që ta implementojmë këtë dhe t’u bëjmë të qartë politikanëve të Tiranës se e vetmja mënyrë është të gjendet zgjidhja që i qëndron kohës dhe t’i hapet rruga integrimit të Shqipërisë në BE”. Kjo ishte deklarata e djeshme e komisionerit për zgjerimin dhe fqinjësinë e mirë, Stefan Fule, gjatë debatit të mbajtur në Parlamentin Europian lidhur me zhvillimet në Shqipëri. Komisioneri i bëri thirrje kryeministrit Sali Berisha të krijojë vërtet një mjedis politik gjithëpërfshirës dhe forcat e tjera politike, ashtu sikurse shoqëria civile, të mund të përfitojnë nga integrimi europian. Fule i kërkoi sakaq kreut të Partisë Socialiste, Edi Rama, që të garantojë që partia e tij do të bëjë një opozitë vërtet konstruktive. “Një opozitë që gëzon përfitimet, por edhe tregon përgjegjësitë e saj në këtë mjedis politik gjithëpërfshirës”, u shpreh Fule. Sakaq, u vlerësua se Shqipëria është zhytur në krizë politike, se zhvillimet në Tiranë më 21 Janar 2011 ishin një tragjedi. “Thellimi i ngërçit politik çoi në katër të vdekur. Tonet në Tiranë duhet të ndryshojnë, i duhet dhënë fund spirales së rrezikshme. Kriza politike duhet të zgjidhet. Kjo është përgjegjësi e përbashkët e liderëve politikë në Shqipëri. Kjo është ajo çka presin qytetarët shqiptarë dhe kjo është e drejtë”, nënvizoi Fule. Komisioni kërkon nga Shqipëria që të ndalohet dhuna dhe të hetohen ngjarjet e 21 Janarit, hetime të cilat duhet të kryhen nga Prokuroria Shqiptare pa ndërhyrje politike. Së dyti, të ndalohen sulmet ndaj institucioneve të pavarura. Së treti, të vendoset komunikimi dhe dialogu, duke i shërbyer të ardhmes dhe gjetjes së zgjidhjeve që i qëndrojnë kohës. Së katërti, kërkohet puna për realizimin e zgjedhjeve lokale të qeta, transparente dhe të rregullta dhe përmbushja e rekomandimeve të bëra nga Komisioni Europian në raportin e fundit. Fule konstatoi se ndihma e BE-së nuk mund të zëvendësojë dialogun mes liderëve. “Nuk ka hapësirë për të mbledhur qershi. Shqipëria duhet të plotësojë kriteret e Kopenhagenit, përfshirë dialogun politik dhe funksionimin e Parlamentit ose asgjë”, saktësoi Fule. Duke iu referuar letrës së dërguar për kryeministrin Berisha, një javë para 21 Janarit, Fule tha se “nuk është akoma vonë për të që të veprojë për të përmbushur kërkesat tona. BE-ja ka një mesazh dhe ky është gatishmëria jonë për të ndërhyrë nëse palët do jenë te gatshme të përmirësojnë gjendjen”. Eduard Kukan u shpreh se “tani është koha, para zgjedhjeve lokale, dhe ne duhet të shikojmë politikanët e Shqipërisë teksa krijojnë kushtet për një fushatë dhe zgjedhje të rregullta të ardhshme, të cilat nuk do krijojnë probleme”. Përfaqësuesit e së majtës vlerësuan se “është e papranueshme që e drejta për të protestuar ndaj gjendjes së krijuar të konsiderohet puç shteti. Është e papranueshme që ata që qëlluan mbi turmat e protestuesve të konsiderohen heronj. Ne i kërkojmë z. Fule që të krijojë kushtet për një monitorim të ngushtë të gjendjes në Shqipëri dhe zgjedhjeve lokale që priten në Maj, në mënyrë që të gjejmë një zgjidhje, pasi në rast të kundërt do kemi një krizë e cila do dalë krejtësisht nga duart dhe kur ne do detyrohemi të marrim qëndrime që do cenojnë edhe të ardhmen e popullit shqiptar”. Marije Cornelissen tha se, nëse kjo krizë vazhdon, atëherë duhet futur ndoshta në funksion mekanizmi i ndëshkimit, duke ndërprerë fondet IPA. Kritik ishte edhe Charles Tannock, i cili theksoi se kjo situatë e ka bërë edhe NATO-n të mendojë zgjerimin dhe të ngrejë pikëpyetjen nëse është bërë para kohe pranimi i Shqipërisë. Një tjetër shqetësim i ngritur ishte edhe fakti se Shqipëria ka një pozicionim të dyshimtë, pasi është i vetmi vend europian që ka kohë që është anëtarësuar në Konferencën Islamike.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›