E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Jo bojkot zgjedhjeve, por nevojiten një paketë kushtesh

SHKRUAN: Nevila Perndoj 02-03-2011 12:57

Kryetari i PS-së paralajmëroi dje rikandidimin për Bashkinë e Tiranës. “Shumëkush në oborrin e regjimit, po rend të buzëqeshë para kohe me këngën e largimit”, - tha ai

TIRANË Kryetari i opozitës, Edi Rama, ka lënë të hapur dje mundësinë e rikandidimit, për një mandat të katërt për Bashkinë e Tiranës, teksa është pyetur nga gazetarët nëse kishte vendosur për një garë të re në kryeqytet. “Mendoj që kjo është një çështje që do të zgjidhet në momentin e duhur, në tërësinë e gjithë këtij aspekti të procesit politik, në të cilin është opozita. Por një gjë është e sigurt, që shumë kush në oborrin e regjimit po rend të buzëqeshë para kohe me këngën e largimit”, - tha dje Rama. Në konferencën e djeshme për shtyp, kryetari i PS-së ka bërë të qartë se, zgjidhja e vetme e krizës politike në vend janë vetëm zgjedhjet e lira dhe të ndershme. ”Ne jemi të bindur që zgjidhja reale dhe e qëndrueshme e krizës së thellë që po kalon Shqipëria, për fajin e Saliut dhe që po e paguajnë padrejtësisht njerëzit e zakonshëm të këtij vendi, fillon me largimin e Saliut dhe zgjedhjet e reja, të lira e të ndershme”, - tha Rama. Kryetari i PS-së ka sqaruar gjithashtu se bojkoti i zgjedhjeve nga ana e opozitës nuk është opsion i diskutuar. “Ashtu siç kam nënvizuar në të gjitha takimet dhe kontaktet me miqtë dhe partnerët e Shqipërisë, por edhe me opinionin publik, rinënvizoj edhe sot se, bojkoti i zgjedhjeve vendore nga ana e opozitës është një ëndërr që Saliu, Iliri dhe kusarët me radhë, e shohin prej kohësh që nuk po bëhet realitet. Ne jemi në këtë betejë më të vendosur se kurrë dhe jemi sot më shumë se asnjëherë, pasi më shumë se asnjëherë sot Shqipëria e ka të domosdoshme çlirimin nga kthetrat e politikës së vjetër dhe armiqësore me shqiptarët e zakonshëm, që mishërohet në këtë regjim vrastar, kusarie e matrapazllëku”, - tha Rama. Për këtë arsye, kryetari i PS shtoi se nuk ka asnjë dyshim, që opozita do të vijojë rrugën e ballafaqimit me këtë “regjim”. “Ky ballafaqim do të vazhdojë me këmbëngulje dhe intensitet në rritje dhe padyshim edhe demonstratat do të vazhdojnë dhe do të intensifikohen”, - tha ai, duke shtuar se procesi i zhvillimit të demonstratave është një proces i pandërprerë. Rama nënvizoi gjithashtu se nuk do të ketë zgjedhje lokale, pa u përmbushur disa kërkesa që do të siguronin, sipas tij, zgjedhje të lira dhe transparente. “Ne e kemi bërë të qartë që zgjedhje në këto kushte nuk mund të zhvillohen. E kemi thënë këtë, në mënyrë të hapur të sinqertë dhe krejt transparente, edhe me të gjithë miqtë dhe partnerët e Shqipërisë dhe kemi nënvizuar vullnetin tonë, për ti ndryshuar këto kushte, pa të cilat nuk mund të ketë zgjedhje, jo më të mira se ato që u bënë në qershor 2009, e që e zhytën Shqipërinë në këtë krizë, po as si ato”, tha ai. I pyetur pikërisht për faktin nëse ndryshimi i përbërjes aktuale të KQZ-së ishte pjesë e kushteve, Rama u përgjigj shkurt se opozita është e gatshme të kontribuojë, për të ndryshuar përmes një tërësie kushtesh.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›