Rama: Poshtë sherrxhinjtë e Partisë Socialiste
Kryetari i PS-së paralajmëroi dje në Fier një tjetër protestë në Tiranë, më 15 mars, në tre vjetorin e tragjedisë së Gërdecit.
FIERI – Edhe nga qyteti i Fierit, kryesocialisti Edi Rama, ka deklaruar se PS-ja do të hyjë në zgjedhje për të larguar qeverinë aktuale. Në të njëjtën kohë, Rama ftoi fierakët t’i bashkohen protestës së radhës, më 15 mars, në 3-vjetorin e tragjedisë së Gërdecit. “Më 15 mars do të jemi të gjithë bashkë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, për të larguar këtë regjim vrastar. Saliu duhet dhe do të largohet. Ky popull do zgjedhje të lira. Qeveria ka kryer tradhti të rënda dhe ne jemi e vetmja shpresë në këtë vend”, tha dje Rama, në Fier. Nën moton “Fajin e ka Saliu”, Rama është shoqëruar dje nga Gramoz Ruçi, si dhe deputetët e tjerë të qarkut Fier. Në fillim të takimit u mbajt një minutë heshtje, për Faik Myrtajn, banor i fshatit Kreshpan, komuna Cakran, i vrarë në demonstratën e 21 janarit. Më pas, Rama i dorëzoi teserën e Partisë Socialiste djalit të tij, Renato Myrtaj. Kryesocialisti Rama u përqendrua në fjalën e tij te vrasjet e katër qytetarëve demonstrues të 21 janarit, duke theksuar se ata nuk e humbën jetën, që disa agallarë të fusin fshatrat në sherr, për një karrige. “Faiku e humbi jetën për një Shqipëri të lirë që nuk i marrin frymën”, - tha ai. “Por nëse themi poshtë Sali Berisha, - vijoi ai, - ne do të themi edhe poshtë sherrxhinjtë e Partisë Socialiste”. Me këtë, Rama nënkuptonte se ishte kundër kandidaturave të përfolura, që pretendojnë zgjedhjen me çdo kusht si kandidat për krerë të njësive të qeverisjes vendore në rrethin Fier. “Të mos lejojnë askënd, edhe në Partinë Socialiste, që për arsyet e tij të vogla, të bëhet shkak të vonojë edhe një minutë qëllimin e madh të realizimit të Shqipërisë së lirë, të Shqipërisë së atyre që besonin dhe ëndërronin, por nuk u kthyen gjallë në shtëpitë e tyre, në datën 21 janar”, - tha Rama.