E Diel, 1 Nëntor 2026

PD nuk lëshon Durrësin, LSI merr Elbasanin dhe Beratin

SHKRUAN: Dardan Malaj 02-03-2011 12:28

Konfigurohet në vija të trasha, marrëveshja prag zgjedhore mes Berishës dhe Metës. Ja zonat e lira për LSI-në

Partia Demokratike nuk lëshon Bashkinë e Durrësit, si zonë të lirë për Lëvizjen Socialiste për Integrim. Burimet nga koalicioni qeverisës thanë dje për “Mapo”-n se pothuajse është e sigurt tanimë që demokratët do të kenë një përfaqësues të tyre në garën e 8 majit, për të marrë drejtimin e bashkisë së qytetit të parë më të rëndësishëm, pas Tiranës. “Nga negociatat e deritanishme është vendosur 100% që kandidati do t’i përkasë Partisë Demokratike”, thanë burime konfidenciale. Kryeministri Sali Berisha ka preferuar të mbajë zonat e tij të influencës në Tiranë dhe Durrës, dy qytetet kryesore, dhe me përqendrimin më të madh të popullsisë, por që tanimë janë nën pushtetin e Partisë Socialiste. Demokratët mësohet se kanë bërë tolerime në bashki të tjera, duke ofruar zonë të lirë Elbasanin, një qytet jo pak i rëndësishëm. Pas negociatave mes Metës dhe Berishës, është rënë dakord që të ketë një kandidat të Lëvizjes Socialiste për Integrim në këtë bashki dhe është përfolur emri i ish-deputetit socialist, Durim Hushi. Gjithsesi, pritet që në ditët e ardhshme të bëhet edhe konfirmimi i kësaj kandidature, të koalicionit të djathtë. Sakaq, Lëvizjes Socialiste për Integrim i është ofruar si zonë e lirë edhe Bashkia e Beratit, ku ka një numër të konsiderueshëm votash. Ndërkohë që në kryeqytet mësohet se do të ketë zonë të lirë minibashkinë numër 6, që aktualisht e administron Luzhiana Abazi, por mund të marrë edhe minibashkinë numër 3, ku qeveris Ilir Kokona, që u largua prej Partisë Socialiste. Burimet pranë koalicionit qeverisës sqaruan gjithashtu se, partia e Ilir Metës do të ketë mundësinë të përfaqësohet me kandidatin e saj edhe në Bashkinë e Pogradecit Ku kandidat pritet tw jetw Luan Topçiu. Pjesë e marrëveshjes janë edhe ato bashki e komuna, ku aktualisht Lëvizja Socialiste për Integrim qeveris. LSI aktualisht ka zona të influencës dhe menaxhon Bashkinë Lezhë, Bashkinë Lushnje dhe Ura Vajgurore. Nga Komuna,t LSI qeveris aktualisht në Kolsh, Golaj, Gracen, Sheze, Lunik, Tërbuf, Greshic, Velabisht, Bogovë, Vendresh, Vithkuq, Velçan, Topojë, Libofshë dhe Otllak. Që të gjitha këto njësi vendore pritet të jenë pjesë e marrëveshjes, mes PD dhe LSI, për zona të lira në kuadër të zgjedhjeve për pushtetin lokal, më 8 maj 2011. Mbetet për t’u parë se sa do të jetë numri total i njësive vendore, që LSI e Ilir Metës do të marrë si zona të lira në marrëveshjen me Partinë Demokratike. Në zgjedhjet e 18 shkurtit 2007, Partia Socialiste i caktoi Ilir Metës zona të lira, plot 58 njësi vendore, mes të cilave 10 bashki dhe 48 komuna në të gjithë vendin.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›