E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Jo pushtet me dhunë, s’jemi çetë e armatosur

Kreu socialist përjashton mundësinë e ardhjes në pushtet nëpërmjet mosbindjes civile. Vetëm vota masive, sipas tij, mund të rrëzojë qeverinë

Pasojat e demonstratës së 21 Janarit kanë fashitur për gjithnjë nga kreu socialist Edi Rama idenë se pushteti mund të merret me mosbindje civile. Këtë bindje të tij ai tashmë prej kohësh po e ndan edhe me socialistët e tjerë, të cilët kërkojnë që Partia Socialiste të jetë më radikale. Pas editorialeve të tija të përjavshme, kreu socialist një temë të tillë ka vendosur ta bëjë dhe pjesë të diskutimeve në faqen e tij në internet me qytetarë të ndryshëm, ku dhe së fundi ka mohuar në mënyrë të prerë mundësinë se pushteti mund të merret edhe me force, apo me mosbindje civile. Vetëm vota e madhe popullore, shprehet kreu socialist, do t’i bëjë ballë vjedhjes së pushtetit dhe do të kthejë PS-në në drejtimin e vendit.

Blogu

Kreu socialist Edi Rama ka zgjedhur përveç editorialeve në mediat e shkruara edhe komunikimin virtual në internet, ku prej kohësh ka hapur një faqe të tij personale dhe ku gjen kohë për të komunikuar dhe dhënë përgjigje shqetësimeve të qytetarëve të ndryshëm. Në një prej këtyre diskutimeve të tij në blogun e tij në këtë faqe interneti, kryetari i Partisë Socialiste ka gjetur rastin edhe një herë t’i presë rrugë të gjitha orvatjeve për ta bërë forcën që ai drejton më radikale. Kështu, duke i kthyer përgjigje një bashkëbiseduesi në blog, Rama mohon mundësinë e veprimeve ekstreme të forcës për të marrë pushtetin. “Ndër blogje lexoj shumë ‘revolucionarë’ të dëshpëruar, që na kërkojnë një përmbysje të madhe, po e duan ndenjur para televizorit a duke kërkuar me kompjuter që ta bëjnë të tjerët. Në fakt, përmbysja e madhe, e domosdoshme për Shqipërinë, mund të ndodhë vetëm nëse gjithsecili bën detyrën e tij e unë mundohem ta bëj timen, pa harruar asnjë sekondë çfarë i duhet vendit, pa u kursyer në kohën e në energjitë e mia për të bërë më të mirën, pa shkelur në asnjë rast mbi bindjet e mia”, - shprehet Rama në komentin e vet. Më tej ai shpjegon dhe rrugën që i mbetet opozitës dhe qytetarëve për të përmbysur qeverinë e djathtë dhe e cila, sipas tij, është ajo e rezistencës dhe e votës. “Bindja është se përmbysjen e domosdoshme e sjell vota, vota masive, vota që kapërcen malin e manipulimeve e të poshtërsive të pushtetit, vota që mblidhet nga të gjithë ata që duan përmbysjen, jo vetëm duke dalë vetë në votim, po duke marrë edhe të tjerë për dore, familjarë, miq, të afërm, fqinj, vota që s’pyet për ‘por’, ‘po ja’, ‘po edhe këta’, ‘po se mos ata’, ‘po dale ta shohim’, ‘po prapë njëlloj janë’, po ‘bla-bla-bla’, vota që rritet me rezistencë qytetare, me protestën e thjeshtë të gjithkujt që s’e ul kokën, me reagimin e gjithsecilit ndaj së keqes që po hyn thellë e më thellë”, - shprehet më tej Rama.

Skepticizmi

Më tej lideri i opozitës, duke iu përmbajtur qasjes së tij paqësore, bën të ditur se PS-ja do të jetë një alternativë për shqiptarët dhe se nuk mund të bëhet një forcë që kërkon të marrë pushtetin me forcë. “E kuptoj edhe skepticizmin e disave që janë shprehur sinqerisht në këtë diskutim, por mbetet me rëndësi të kuptohet se opozita është alternativë, është një mundësi e re, është një shpresë që duhet ushqyer nga të gjithë, jo një çetë e armatosur që zgjidh për ata që rrinë para televizorit apo mjaftohen me të shkruarit në blogje problemin e heqjes së TVSH-së”, - shprehet Rama, ndërsa ka garantuar edhe një herë lexuesit e blogut të tij se opozita ka qenë, është e do të jetë gjithnjë me popullin dhe se ajo thjesht po bën të gjithë sa e si mundet detyrën e saj. “Nuk jemi ne që e vendosim kur derdhet kupa e mbushur e marazit popullor prej padrejtësive, po është vetë dhe vetëm populli”, - thekson Rama.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›