Rama: KQZ do vazhdojë kanibalizmin elektoral. Ky proces ka humbur çdo integritet
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, dha një deklaratë për mediat në lidhje me vendimin e Kolegjit Zgjedhor.
Dje nuk morëm drejtësinë që kërkuam. Dje u vulos padrejtësia që e degjeneroi procesin pas numërimit publik të votave që na nxori fitues. Kolegji nuk pati kurajën të shohë të gjithë të vërtetën, por nuk mbylli tërësisht sytë.
Sot procesi është kthyer në tavolinën e kanibalizmit elektoral ku u prodhua tabela e turpshme e një rezultati me më shumë vota se tërësia e fletëve të votimit të gjetura në kuti.
Ne i qëndrojmë asaj që kemi thënë që në fillim se do i shkojmë deri në fund betejës ligjore pavarësisht se në KQZ nuk presim asgjë tjetër përveçse vazhdimit të kanibalizmit me votat.
Dhunuesit e këtyre zgjedhjeve mund të vulosin si fitore një humbje, por asnjëherë një popull nuk do i shohë ata si fituesit e garës në Tiranë.
Ne kemi fituar dhe kemi përgjegjësinë për të ndërtuar aksionin opozitar.
Ky proces i pashembullt që ka humbur çdo integritet e besueshmëri është në fakt një shembull kuptimplotë për domosdoshmërinë e largimit të këtij pushteti një orë e më parë dhe një arsye më shumë për të vijuar betejën opozitare, tha Rama.